Inspektohen punimet në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë

Drejtoria e Infrastrukturës e Komunës së Fushë Kosovës ka realizuar inspektim në terren në kuadër të kontratës për projektin dyvjeçar “Rregullimi i Rrugës Dardania në Fushë Kosovë”.
Gjatë inspektimit, Autoriteti Kontraktues ka kryer hapje kontrolluese për të verifikuar pozicionin, nivelin dhe përputhshmërinë teknike të instalimeve nëntokësore, në përputhje me projektin ekzekutiv, paramasat dhe paralogaritë përkatëse.
Këto ndërhyrje janë pjesë e procedurave të rregullta të kontrollit teknik të punimeve në terren.
Nga komuna bëhet e ditur se, për shkak të kushteve sezonale dhe periudhës së festave, është paraparë nivelizimi i përkohshëm i sipërfaqes së punuar, me qëllim të sigurimit të qasjes funksionale për bizneset dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për vazhdimin e punimeve në fazat e ardhshme të projektit. /Telegrafi/


















































