eksperti-banner

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me nënkryetaren Arta Bajralija, drejtorin për Investime Kapitale Blerim Murina dhe drejtorin për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca Zotrim Kastrati, kanë vizituar vendpunishtet në fshatin Koretin, ku po realizohen dy projekte infrastrukturore.

Gjatë vizitës, ata janë informuar nga afër për ecurinë e punimeve në rrugën që lidh fshatrat Koretin dhe Berivojcë, si dhe në rehabilitimin e kanalit atmosferik përgjatë rrugës kryesore “Rafet Isufi”.


Sipas njoftimit të komunës, projekti i rrugës Koretin–Berivojcë ka një vlerë prej 252,664.85 euro dhe tashmë kanë nisur punimet në terren.

“Rruga që lidhë fshatrat Koretin e Berivojcë në vlerë prej 252,664.85 eurosh ku veçse kanë filluar punimet”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, po vazhdojnë punimet edhe në projektin tjetër që lidhet me sistemin e kanalizimit atmosferik.

“Rehabilitimi i kanalit atmosferik përgjatë rrugës kryesore ‘Rafet Isufi’ në Koretin në vlerë prej 68,924.00 eurosh ku aktualisht po punohet”, theksohet më tej.

Komuna vlerëson se këto investime ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe kushteve të jetesës për banorët e zonës.

Sipas njoftimit, punimet në terren po vazhdojnë me intensitet të lartë dhe projektet po realizohen në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. /Telegrafi/