Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sevdije Berisha Krasniqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit, Arif Pllana, kanë realizuar vizita inspektuese në disa shkolla të territorit të kësaj komune.

Gjatë vizitave, drejtuesit komunalë kanë parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor, duke identifikuar nevojat për ndërhyrje me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore dhe krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit.


Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se këto vizita janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit dhe adresimin e problematikave që ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. /Telegrafi/