LAJMI I FUNDIT:

Indonezia kërkon marrëveshje të re me SHBA-në për bateritë e veturave elektrike

Indonezia kërkon marrëveshje të re me SHBA-në për bateritë e veturave elektrike

Indonezia do të propozojë një marrëveshje për tregti të lirë për disa minerale që transportohen në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që kompanitë e zinxhirit furnizues të baterive për veturat elektrike të cilat operojnë në këtë vend, të përfitojnë nga taksat kreditore të SHBA-ve, bëri të ditur një ministër i lartë i vendit.

Washingtoni zyrtar ka lëshuar një udhëzim të ri për taksat kreditore për veturat elektrike nën Aktin për Reduktimin e Inflacionit (IRA), duke kërkuar që një vlerë e caktuar e komponentëve të baterisë të prodhohen ose montohen në Amerikën Veriore ose tek një partner i tregtisë së lirë.


Këto rregulla kanë synim që t’i largojnë Shtetet e Bashkuara nga varësia ndaj Kinës për zhvillimin e zinxhirit të saj të baterive për veturat elektrike, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

Indonezia nuk ka ndonjë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara, por që prodhimet e saja të nikelit janë bërë gjithnjë e më të vlefshme në zinxhirin e furnizimit.

Vendi nga jug-lindja e Azisë është përpjekur të shfrytëzojë rezervat e tij të nikelit, të cilat ndryshe janë edhe rezervat më të mëdha në botë, për të tërhequr investime nga prodhuesit e baterive dhe veturave elektrike, duke përfshirë edhe kompanitë amerikane si Tesla dhe Ford.

I pyetur në lidhje me udhëzimet e reja të IRA, ministria indonezian Luhut Pundjaitan, i cili ka drejtuar përpjekjet për të tërhequr kompanitë amerikane, në një konferencë shtypi bëri të ditur se Xhakarta zyrtare do të propozojë një marrëveshje të kufizuar të tregtisë së lirë (FTA) me Uashingtonin.

“Ne nuk kemi një marrëveshje për tregti të lirë me ta, por tani ne po propozojmë një marrëveshje të kufizuar,” tha Luhut, duke shtuar se ai do të takohet me drejtuesit e Ford dhe Tesla për të diskutuar këtë çështje kur edhe do të bëjë një vizitë në Shtetet e Bashkuara më vonë gjatë javës. /Telegrafi/