Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka mohuar se paralajmërimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta në kryeqytet është bazuar në të dhënat e këtij institucioni.

Në një postim të publikuar në Facebook, IHMK kishte deklaruar se nuk ka lëshuar parashikim për rrezik nga erërat për datën 25 janar, duke theksuar se njoftimi i Komunës së Prishtinës nuk përputhej me parashikimet e institutit.


“IHMK sqaron se njoftimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta për sot, 25 janar, nuk është i mbështetur në parashikimin e motit nga IHMK… Parashikimi për datat 24 dhe 25 janar është i publikuar në faqen zyrtare të IHMK-së dhe nuk përmban paralajmërime për rreziqe nga erërat”, thuhej në postimin që u fshi pas disa minutave.

Pas kësaj, IHMK doli me një sqarim të dytë, duke thënë se publikimi dhe fshirja e postimit fillestar ishte rezultat i një keqkuptimi.



Instituti theksoi se nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje ndërmjet IHMK-së dhe Komunës së Prishtinës dhe se bashkëpunimi institucional është korrekt, me qëllim informimin e saktë dhe me kohë të qytetarëve për kushtet meteorologjike.

Ndërkohë, sipas parashikimit të fundit të IHMK-së, priten erëra me intensitet të lehtë deri mesatar, të cilat nga dita e hënë mund të shoqërohen me reshje shiu.

Nga ana tjetër, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar se, bazuar në të dhënat e IHMK-së, nga mëngjesi i së dielës, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra me intensitet mesatar deri të fortë, veçanërisht në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.

Sipas njoftimit të Komunës:

Në zonat kodrinoro-malore, shpejtësia e erës pritet të jetë 11–14 m/s

Në zonat më të ulëta, 8–11 m/s

Erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026./Telegrafi/