IHKM njofton për cilësinë e ajrit në Kosovë: Rritje e ndotësve në disa zona

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë regjistruar vlera të rritura të ndotësve në ajër në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit, ulja e temperaturave ka rritur përdorimin e ngrohjes, duke sjellë rritje të emetimeve ndotëse, përcjell Telegrafi.
Përkeqësimin e cilësisë së ajrit e ka favorizuar gjithashtu prania e mjegullës së dendur, lagështia e lartë e ajrit, mungesa e erërave dhe fenomeni i inversionit termik, të cilët lehtësojnë grumbullimin e ndotësve në shtresat e ulëta të atmosferës.
IHMK rekomandon që personat e ndjeshëm të kufizojnë ekspozimin e gjatë në ambient të jashtëm deri në përmirësimin e kushteve.
Instituti po e monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe premton të informojë publikun për çdo ndryshim të rëndësishëm në gjendjen e cilësisë së ajrit.
Në njoftim janë përfshirë edhe imazhe që tregojnë gjendjen e ajrit në kohë reale dhe efektet e mjegullës së dendur të ditëve të fundit. /Telegrafi/















































