Idrizi: Pikë kthese për çështjen çame

Mbi 2 mijë vetë kanë qenë të pranishëm në këtë aktivitet, mes tyre edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputeti Dashamir Tahiri. Këtij marshimi i është bashkëngjitur edhe kreu i Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti.
Pas vendosjes së gurit të parë për ndërtimin e varrezave çame, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se, “ky është guri i themelimit të çështjes Çame”.
“Këto varreza, janë detyrimi moral për paraardhësit”, prandaj ai i quajti këto varreza, “pikë kthese për çështjen çame”.
“Çështja çame do të futet në kanalet diplomatike dhe kthimi pranë vatrave tona nuk do të jetë i largët", tha Idrizi.
Në përurim të punimeve për ndërtimin e varrezave, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mbollën një rrënjë ulliri.
67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. Mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur, për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve, vetëm sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar dhe social, të ndryshëm nga popullsia shumicë.
Çështja e Çamërisë, krahinës së mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913, e lënë në harresë gjatë dekadave të diktaturës, është rikthyer në vëmendje gjatë viteve të fundit në sajë të përpjekjeve të komunitetit çam përmes shoqatave të tyre dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. /Telegrafi/




















































