I pakënaqur me hapësirat, Zirkzee në janar largohet nga Man Utd

Joshua Zirkzee po shqyrton mundësinë e një largimi nga Manchester United gjatë merkatos së janarit, pasi është zhgënjyer nga minutazhi i kufizuar nën drejtimin e Ruben Amorim.
Sulmuesi holandez, i transferuar nga Bologna verën e kaluar për 36.8 milionë funte, deri tani ka zhvilluar 53 paraqitje me fanellën e “Djajve të Kuq”, por ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit këtë sezon.
Zirkzee nuk ka qenë titullar në asnjë ndeshje këtë edicion, duke u aktivizuar vetëm si zëvendësues, gjë që ka shtuar pakënaqësinë e tij.

Shkrimet e fundit nga Anglia bëjnë të ditur se 23-vjeçari është i shqetësuar për mundësitë e tij për të qenë pjesë e Holandës në Kupën e Botës 2026, ndaj po mendon seriozisht për një transferim të ri.
Skuadra si Juventus, PSV Eindhoven dhe Roma kanë shfaqur interes për Zirkzeen dhe pritet të jenë në garë për nënshkrimin e tij në afatin kalimtar të janarit.
Holandezi është paraqitur në katër ndeshje këtë edicion, teksa ka grumbulluar vetëm 82 minuta gjithsej duke mos shënuar e asistuar asnjëherë. /Telegrafi/

















































