Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë, theksoi sot se ka mbetur "vetëm një çështje" në to, e cila mund të zgjidhet nëse të dyja palët e dëshirojnë këtë.

Witkoff mori pjesë në një panel mbi Ukrainën në Davos, duke thënë se negociatat ishin "në fund të procesit" dhe se ai ishte "optimist".


"Ne arritëm në një çështje, diskutuam versionet e saj të ndryshme, që do të thotë se është e zgjidhshme", theksoi i dërguari, i cili u emërua nga Donald Trump 11 muaj më parë.

"Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin, ne do ta zgjidhim", tha ai.

Witkoff vlerësoi ekipin negociator ukrainas, me të cilin kishte “kaluar më shumë se njëqind orë” që nga takimet në Gjenevë.

Pas Davosit, Witkoff do të udhëtojë për në Moskë, ku është njoftuar një takim me presidentin rus Vladimir Putin, dhe më pas për në Abu Dhabi, ku ekipet e punës nga Ukraina dhe Rusia po punojnë për negociatat.

“Mendoj se do të kemi sukses”, përfundoi i dërguari. /Telegrafi/