Hyseni: Punimet për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë po shkojnë drejt përfundimit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se po shkojnë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi".
Sipas tij ky është, një investim me vlerë 3.3 milionë euro, që do të ofrojë kushte moderne mësimore dhe praktike për nxënësit nga Anamorava, Presheva, Bujanoci, Kumanova dhe më gjerë.
"Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të arsimit profesional dhe përmirësimit të kushteve për nxënësit, duke e forcuar Gjilanin si qendër edukative rajonale në fushën e mjekësisë", tha Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se shkolla e re do të pajiset me të gjitha standardet bashkëkohore për procesin mësimor dhe laboratorik, duke siguruar një ambient të përshtatshëm për edukimin e profesionistëve të ardhshëm të shëndetësisë. /Telegrafi/




















































