LAJMI I FUNDIT:

Husiq për gjykimet për krime lufte: Kosova të mësojë nga gabimet e Bosnjës

Husiq për gjykimet për krime lufte: Kosova të mësojë nga gabimet e Bosnjës

Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica” që vepron në Bosnjë e Hercegovinë, Sabiha Husiq deklaron se nuk mjaftojnë katër prokurorë në ndëshkimin e krimeve të luftës, aq sa aktualisht numëron Kosova.

Husiq thotë se shteti duhet të krijojë mjedis të sigurt për të mbijetuarat që dëshmojnë për atë çfarë kanë përjetuar dhe që autorët e këtij krimi të ndiqen penalisht.


Ajo flet edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për çka vlerëson se Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Bosnjës e Hercegovinës. Po ashtu, tregon për përvojat e këtij vendi në trajtimin e viktimave të dhunës seksuale nga kriminelët serbë. Husiq, e cila udhëheq organizatën më të vjetër të grave në Bosnjë, konsideron se është e rëndësishme që gratë dhe burrat të flasin për torturat që kanë përjetuar nga kriminelët serbë.

“Para së gjithash, shteti duhet të krijojë një mjedis të sigurt për vetë të mbijetuarat që kanë folur ose do të flasin për traumën e tyre, kur them një mjedis të sigurt, kam parasysh edhe mundësinë për t’u dhënë liri kur ajo, ata duan të flasin dhe të aplikojnë për statusin e tyre, dhe kjo me siguri do t’i motivojë dhe inkurajojë gratë që të japin dëshminë e tyre në mënyrë që autorët e këtij krimi lufte të ndiqen penalisht. Pra me të vërtetë, nga përvoja në Bosnje dhe Hercegovinë, mund të themi se sa e rëndësishme ishte që vetë gratë të dëshmonin për të ndëshkuar autorët, dhe sigurisht që shteti duhet të miratojë ligje që do ta sanksionojnë këtë krim lufte”, thotë Husiq.

Për ndëshkimin e krimeve të luftës, ajo shton se nuk janë të mjaftueshëm katër prokurorë, sa aktualisht numëron Kosova.

“Është një pyetje shumë e vështirë, do të them përsëri duke u bazuar në përvojën time që kam punuar për 30 vjet që vërtet nuk mjafton, këto kapacitete nuk janë të mjaftueshme sepse bëhet fjalë për krime të tilla. Delikate lufte, veprat kriminale ku me të vërtetë kërkohet shumë kohë, derisa e dimë që bëhet fjalë për mijëra gra që i mbijetuan përdhunimit dhe dhunës seksuale, atëherë vërtet nuk mjaftojnë as katër, as pesë e as shtatë prokurorë”, shton ajo.

Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica”, vlerëson se Kosova duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë Bosnje-Hercegovina në përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

“Unë mendoj se Kosova mund të mësojë shumë nga gabimet e Bosnje-Hercegovinës, se duhet t’i marrë gabimet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe t’i kthejë në praktikën e saj të mirë, mendoj se Kosova mund të arrijë shumë më tepër si shtet, si në nivel kombëtar dhe shtetëror e edhe në nivel ndërkombëtar. Pra, një qasje serioze ndaj krimeve të luftës, një qasje serioze ndaj autorëve dhe një qasje objektive pa lojëra politike, sepse të mos harrojmë se më së shumti ka pësuar populli në Kosovë. Se populli duhet të marrë një statisfaksion siç ishte në Bosnje dhe Hercegovinë, për fat të keq mund të them si Sabiha Husiq, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka kaluar mirë me gjithë këtë, gjenocidi u njoh vetëm në Srebrenicë. Derisa ne e dimë se në shumë pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës është bërë gjenocid, ndaj le t’i marrë Kosova këto gabime tona dhe t’i kthejë në praktikën e saj pozitive, që gabimet e Bosnjës dhe Hercegovinës të mos përsëriten më vonë”, shprehet Husiq.

Ajo tregon se tash e tri dekada kanë ofruar qindra shërbime për të mbijetuarat e dhunimeve seksuale, atyre të dhunës në familje dhe në komunitet. Ajo shton se kanë ofruar këshillim psikologjik, ligjor, fuqizim ekonomik dhe puna në zonat rurale.

“Mirëpo, kjo temë edhe sot e kësaj dite është tabu dhe nuk trajtohet seriozisht, pavarësisht se lufta ka përfunduar 25 vjet më parë. Tani po shohim transmetimin transgjenerativ të traumës dhe stigmatizimi është i pranishëm edhe nga vetë komuniteti, pra stigmatizimi në kuptimin që sjellja e grave ende vihet në dyshim, se nuk ju besohet, se shpesh përpiqen të gjejnë fajtorin që gruaja vetë shkaktoi të jetë e abuzuar, përdhunuar e ngjashëm. Dhe ajo që ne po përpiqemi të bëjmë në fushën e de-stigmatizimit, pra të flasim për këtë temë, të flasim me të rinjtë që ata të njoftohen për këtë traumë specifike, por në të njëjtën kohë së bashku të ngremë zërin dhe të themi se përdhunimi dhe dhuna seksuale nuk mund të jenë faji i grave apo vajzave, dhe as i meshkujve sigurisht. Përkundrazi, komuniteti dhe familja janë të detyruar t’i pranojë, t’i ndihmojë të krijojnë një mjedis të sigurt që nuk do t’i ri-traumatizojnë prapë”, shton ajo.

Në Bosnjë e Hercegovinë deri më tani janë 1,300 gra e burra, të cilët kanë fituar statusin e viktimës civile të luftës.

“Pra, kemi më shumë se 1,300 gra dhe burra që kanë arritur statusin e tyre si viktima civile të luftës, ende nuk është një numër i mjaftueshëm, kur kemi parasysh se deri në 50,000 gra dhe vajza janë përdhunuar në Bosnjë e Hercegovinë gjatë agresionit të viteve ‘92-‘95. Gjithashtu, statistikat tregojnë se diku rreth 3000 burra janë përdhunuar gjatë agresionit në Bosnje dhe Hercegovinë, këto janë në fakt vetëm statistika bazë, ne vërtet mendojmë se këto statistika janë shumë më të larta, sepse si do të flasim për gratë, të cilat gjerë më sot heshtin, nuk folin për traumën që kanë përjetuar në çfarë statistikash duhet t’i numërojmë”, shprehet Husiq.

Megjithatë, Husiq thotë se vështirë do të dihet numri i saktë i viktimave, meqë shumë prej tyre kanë vdekur e të tjera janë larguar nga vendi i tyre pas luftës.

Rreth 20 mijë gra e burra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nga kriminelët serbë. Deri më tani nga gjykatat vendore është shqiptuar vetëm një dënim prej dhjetë vitesh për dhunim seksual për kriminelin Zoran Vukotiq. Ndërkaq, së fundmi janë ngritur dy aktakuza në mungesë nga Prokuroria Speciale. /KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Kalo në kategori