LAJMI I FUNDIT:

Humbjet e bankave në Shqipëri gjatë vitit 2017 ishin 5.2 milionë euro

Humbjet e bankave në Shqipëri gjatë vitit 2017 ishin 5.2 milionë euro

Humbjet e bankave nga aktiviteti operacional në vitin 2017 kapën vlerën e 5.2 milionë eurove, raporton Banka e Shqipërisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, humbjet operacionale të bankave për vitin 2017, shënuan 0.7 miliardë lekë. Niveli mesatar i humbjeve operacionale ndaj kërkesës për kapital për sektorin bankar është 10 për qind, një vit më parë, ky raport rezultoi 7.4 për qind.


Por Autoriteti Qendror Bankar theksoi se në fund të vitit 2017, humbjet operacionale të sektorit bankar nuk e tejkalojnë kërkesën për kapital për rrezikun operacional dhe pesha e tyre është e ulët.

Në fund të vitit 2017, kërkesa për kapital për rrezikun operacional shënoi nivelin 6.7 miliardë lekë, duke shënuar rënie.

Ndonëse raportimet e bankave tregojnë përmirësim të mbulimit me kapital të rreziqeve tërësore operacionale, veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë ka evidentuar nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të procesit për identifikimin dhe raportimin e humbjeve operacionale në përputhje me profilin e aktivitetit të bankës.

Gjithashtu, në përgjigje të cenimit të sigurisë fizike në veprimtarinë e transportimit të fondeve gjatë 2015, Banka e Shqipërisë, ka forcuar kërkesat minimale në aktet përkatëse rregullative, kryesisht në drejtim të planifikimit, hartimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së zbatueshmërisë së procedurave, nga njësitë e posaçme të sigurisë në banka.

Në vijim, Banka e Shqipërisë njofton se do të forcojë fokusin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemeve të bankave për kontrollin e rrezikut operacional, si pjesë e inspektimeve të rregullta pranë subjekteve të mbikëqyrura.

Rreziku operacional, sipas përkufizimit rregullativ, përfaqëson rrezikun që subjekti të pësojë humbje, si rezultat i papërshtatshmërisë ose dështimit të proceseve të brendshme dhe të sistemeve, gabimeve njerëzore, apo i ngjarjeve të jashtme. /Monitor /Telegrafi/