Më datën 09 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë - Podujevë.

Për pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht, transmeton Telegrafi.


Komuna e Prishtinës në një komunikatë për media thotë se rruga në të cilën i ndjeri ka rënë nuk është në kompetëncë të komunës dhe se i përket Qeverisë së Kosovës.

“Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë - Podujevë. Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se deklaratat e LVV-së po tentojnë ta politizojnë rastin dhe të hedhin fajin të organet e kryeqytetit.

“Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë t’a politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/