Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për politikën e jashtme, ka thënë se nuk pret që të ketë njohje e as anëtarësime të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Hoxhaj më tej ka shtuar se nuk pret që të ketë as liberalizim të vizave.

“Politika e jashtme është si puna e motit kur ndërron shumëçka përfundon. LVV dhe shumica parlamentare kanë pretenduar që politika është e jashtme por qëllimet janë të brendshme, dhe që ndryshimet e vërteta në politikën e jashtme burojnë nga brenda kështu është nëse e lexon programin e LVV dhe Qeverisë. Nuk ka njohje dhe nuk pres që ka me pas njohje, nuk ka anëtarësime dhe s’ka me pas, nuk ka me pas as liberalizim të vizave e as marrëveshje të reja me BE”, ka thënë Hoxhaj.

Ai iu drejtua partisë në pushtet, LVV-së, duke thënë se “kur i kanë fituar zgjedhjet keni menduar që fitorja juaj po i jep kuptim botës, por shkurti i këtij viti në Ukrainë po i jep kuptim politikës së jashtme, tash ja keni nis me fol për politikë të jashtme”.

“Është mirë që Kryeministri Kurti dhe Qeveria po rreshtohen krah Ukrainës. Ende nuk keni aplikuar për NATO, e di që nuk bëhet kjo punë sivjet por nuk e keni dorëzuar deri tash aplikimin për Partneritet për Paqe që ish kry këtë vit”, shtoi Hoxhaj.

Nënkryetari i Kuvendit foli edhe për heshtjen e Qeverisë së Kosovës karshi raportimeve të fundit për kërcënimin me vrasje të Dick Martyt.

“Kurti po merret me luftën hibride të Rusisë, por nuk po thotë asgjë me luftën e spiunazhit të Serbisë kundër Kosovës dhe këtu po flas për Dick Martyn, i cili ka qenë kundër Kosovës. Qeveria duhet të kërkoj sqarim zyrtar prej ambasadorit dhe në Bern prej Qeverisë së tyre se çfarë po ndodh me z.Marty”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj theksoi se Kosova duhet të ketë qasje të re në raport me 5 vende që nuk e kanë njohur pavarësinë, duke thënë se është koha e fundit dhe mënyra e vetme mi bë presion Rusisë, që këto vende ta njohin Kosovën.

“Çdo përjashtim i Rusisë prej organizatave është mundësi për anëtarësim për Kosovën. Në ditën kur Rusia përjashtohet nga Këshilli i Evropës, zonja gërvalla në Prishtinë i përjashton diplomatët, në vend se të merret me anëtarësime Gërvalla merret me përjashtime. Në ditën kur Rusia përjashtohet nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB, atë ditë e shkarkojnë ambasadorin tonë në OKB”, deklaroi Hoxhaj.

Sipas tij, dialogu me Serbinë për anëtarësim në OKB ka vdekur.

“Ylli polar i politikës tonë të jashtme ka qenë anëtarësimi i Kosovës në OKB, nëse prisni sot që ambasadori i Rusisë dhe Kinës do ta ngris dorën në OKB për anëtarësim të Kosovës, është naivitet. Dialogu politik për anëtarësim në OKB, ka vdekur, për tabela z.Bislimi mund ta vazhdoni dialogun”, tha Hoxhaj. /Telegrafi/