LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Është e gabuar të barazohet fati i Kosovës me atë të Ukrainës

Hoxhaj: Është e gabuar të barazohet fati i Kosovës me atë të Ukrainës

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një video-mesazhi në Facebook, duke kritikuar qasjen aktuale të politikës së jashtme të Kosovës në fillim të vitit 2025.

Ai e ka krahasuar këtë qasje me një episod nga viti 1975, kur disa komunistë jugosllavë në një fshat të Kosovës deklaruan se “jetën e japin, por Trieshtën nuk e japin”, ndonëse fati i këtij qyteti tashmë ishte vendosur.

Sipas Hoxhajt, dy ngjarje të fundit ilustrojnë këtë qasje naive.


“Javën e kaluar, një politikan nga Kosova vizitoi Taipein, ku kritikoi Evropën nga Azia, krahasoi Tajvanin me Kosovën dhe madje pretendoi se industria ushtarake e Kosovës është më e zhvilluar se ajo e Francës”, tha ai.

Po ashtu, ai përmendi përvjetorin e tretë të luftës në Ukrainë, duke theksuar se ndërsa pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës janë të rëndësishme për Evropën dhe Kosovën, nuk është e drejtë të barazohet fati i dy vendeve.

“Është gabim që Kosova të krahasohet me Ukrainën, sidomos kur Perëndimi është i ndarë me dy rezoluta të ndryshme në Këshillin e Sigurimit. Nëse Perëndimi nuk është i bashkuar në qëndrimet e tij, politika e jashtme e Kosovës nuk duhet ta thellojë këtë ndarje”, theksoi Hoxhaj.

Ai e cilësoi këtë situatë si një naivitet diplomatik, duke e krahasuar me anekdotën e Trieshtës.

Ndërkohë, në Prishtinë, dje u përkujtua trevjetori i luftës në Ukrainë./Telegrafi/