Houthët e Jemenit thanë të enjten se Shefi i Shtabit të tyre, Muhammad Abd Al-Karim al-Ghamari, një nga zyrtarët më të lartë ushtarakë të grupit të mbështetur nga Irani, u vra "ndërsa kryente detyrat e tij".

Pa e fajësuar drejtpërdrejt Izraelin për vrasjen e tij, Houthët thanë se konflikti me Izraelin nuk kishte mbaruar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Sipas tyre, Izraeli do të "marrë ndëshkimin e tij parandalues për krimet që ka kryer".

Në gusht, Izraeli shënjestroi shefin e shtabit të grupit, ministrin e mbrojtjes dhe figura të tjera të larta në sulmet ajrore në Sanaa të Jemenit, në të cilat u vranë kryeministri i qeverisë së drejtuar nga Houthët e Jemenit dhe disa ministra të tjerë.

Izraeli kishte thënë atëherë se sulmi ajror kishte shënjestruar al-Ghamarin, ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe se po verifikonte informatat.

Ghamari ishte anëtar i "Zyrës së Xhihadit" të Houthëve, të udhëhequr nga Abdul Malik al-Houthi, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve ushtarake.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, theksoi të enjten se Ghamari u sulmua në një sulm izraelit.

“Ne do të bëjmë të njëjtën gjë kundër çdo kërcënimi në të ardhmen”, shtoi ai.

Houthët kishin qëlluar raketa drejt Izraelit në atë që ata i quajtën akte solidariteti me palestinezët në Gaza, shumica e të cilave janë “kapur”.

Izraeli është përgjigjur me sulme në zonat e Jemenit të kontrolluara nga grupi Houthi.

Udhëheqësi i Houthëve, Abdul Malik al-Houthi, tha javën e kaluar se grupi do të monitorojë pajtueshmërinë e Izraelit me marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe do të rifillojë mbështetjen për Gazën nëse Izraeli nuk i përmbahet asaj. /Telegrafi/