LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Studimet parashikojnë që këtë vit mund të kemi vaksinën specifike edhe për variantin Omicron

Hoti: Studimet parashikojnë që këtë vit mund të kemi vaksinën specifike edhe për variantin Omicron
Foto: Ilustrim

Zëdhënësi i Ministrisë se Shëndetësisë, Faik Hoti nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook ka publikuar të dhëna më të detajuara për variantin e ri të SARS-CoV2, Omicron dhe variantin tjetër të njohur me emrin Delta, studime këto të kryera në Angli, Skoci dhe në vendin e origjinës së Omicron-it në Afrikën e Jugut.

Sipas  Hotit këto studime thonë gjithashtu që doza përforcuese e vaksinës e cila përdoret për të luftuar variantin COVID-19, e lufton edhe Omicron-in e edhe Delta-n gjithashtu.


“Të dhënat tregojnë se vaksinat janë ende mbrojtëse ndaj sëmundjeve të rënda. Megjithatë, mutacionet e identifikuara në variantin Omicron dhe të dhënat paraprake nga studimet sugjerojnë se vaksinimi mbron më pak nga infektimi dhe infektimi i të tjerëve. Dozat përforcuese të vaksinës COVID-19 e rrisin mbrojtjen ndaj formave të rënda të shkaktuara nga varianti Delta dhe, gjithashtu mund të rrisin mbrojtjen kundër variantit Omicron si ndaj infeksionit, ashtu edhe ndaj formave të rënda të sëmundjes. Ndikimi në nivel të popullatës pritet të jetë më i lartë nëse doza përforcuese jepet brenda një intervali të shkurtër kohor”, thuhet në postimin e Hotit në Facebook.

Megjithatë sipas studimeve Hoti tha që këtë vit mund ta kemi të prodhuar edhe vaksinën specifike për variantin Omicron.

“Prodhuesit e vaksinave po punojnë në zhvillimin e vaksinave specifike kundër Omicron. Këto vaksina mund të bëhen të disponueshme më vonë këtë vit, por koha e saktë nuk mund të parashikohet ende me saktësi”.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Pyetje dhe përgjigje (të zhvilluara) nga DG SANTE dhe ECDC, për të mbështetur shtetet në komunikimin e tyre me qytetarët në fazën aktuale të pandemisë COVID-19, me një fokus të veçantë në variantin shqetësues Omicron.
Si përhapet Omicron? A është më ngjitës se variantet e tjerë?
Omicron përhapet kryesisht përmes aerosoleve (grimca që qëndrojnë pezull në atmosferë) dhe pikave të frymëmarrjes, në të njëjtën mënyrë si variantet e mëparshme të SARS CoV-2, virusi që e shkakton COVID-19. Megjithatë, varianti Omicron i infekton njerëzit më lehtë sesa varianti Delta dhe ka të ngjarë që ta kalojë atë dhe të bëhet variant dominues në vende të ndryshme të botës.
 A shkakton Omicron sëmundje pak a shumë më të rëndë se Delta? Me fjalë të tjera: A është më keq të infektohesh me Omicron se sa me Delta?
 Aktualisht ka disa studime që e vlerësojnë ashpërsinë e sëmundjes së shkaktuar nga varianti Omicron në krahasim me variantet e tjera. Deri më tani, ka pasur vetëm disa raste të rënda të Omicron në BE/EEA. Së fundi, janë publikuar studime në Angli, Skoci dhe Afrikën e Jugut, të cilat tregojnë se ashpërsia e sëmundjes COVID-19 është më e ulët tek individët që janë infektuar nga varianti Omicron në krahasim me ata të infektuar me variantin Delta. Gjetjet e këtyre studimeve tregojnë në të njëjtin drejtim, domethënë se ekziston një rrezik i reduktuar për t’u shtruar në spital nëse infektoheni me variantin Omicron në krahasim me variantin Delta. Është e rëndësishme të monitorohen rastet për periudha më të gjata kohore për t’i konfirmuar gjetjet.
A funksionojnë vaksinat kundër Omicron?
 Të dhënat tregojnë se vaksinat janë ende mbrojtëse ndaj sëmundjeve të rënda. Megjithatë, mutacionet e identifikuara në variantin Omicron dhe të dhënat paraprake nga studimet sugjerojnë se vaksinimi mbron më pak nga infektimi dhe infektimi i të tjerëve. Dozat përforcuese të vaksinës COVID-19 e rrisin mbrojtjen ndaj formave të rënda të shkaktuara nga varianti Delta dhe, gjithashtu mund të rrisin mbrojtjen kundër variantit Omicron si ndaj infeksionit, ashtu edhe ndaj formave të rënda të sëmundjes. Ndikimi në nivel të popullatës pritet të jetë më i lartë nëse doza përforcuese jepet brenda një intervali të shkurtër kohor.
A funksionojnë edhe për Omicron trajtimet (mjekësore) të përdorura për variante të tjera të SARS-COV-2?
 Të dhënat mbi efektivitetin e trajtimeve kundër variantit Omicron nuk janë ende të paplota, por analizat paraprake gjenetike dhe studimet in vitro tregojnë se shumica e trajtimeve do të vazhdojnë të funksionojnë edhe kundër Omicron.
A kam vërtet nevojë për një dozë përforcuese?
Sipas provave të disponueshme aktualisht, dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 e rrisin mbrojtjen kundër variantit Delta dhe, gjithashtu, mund të rrisin mbrojtjen kundër variantit Omicron. Ndikimi në nivel të popullsisë pritet të jetë më i lartë nëse doza përforcuese jepet brenda një intervali më të shkurtër kohor.
Pse më duhet ende të mbaj maskë dhe të praktikoj distancimin fizik kur jam plotësisht vaksinuar? Po sikur të marr edhe dozën time përforcuese?
Megjithëse vaksinat, veçanërisht pas marrjes së një doze përforcuese, mbrojnë nga sëmundjet e rënda, personat e vaksinuar mund të infektohen ende dhe të infektojnë të tjerët, megjithëse shumë më rrallë se personat e pavaksinuar. Pra, vetëm vaksinimi nuk mjafton. Edhe nëse keni marrë dozën tuaj përforcuese, është thelbësore të vazhdoni të aplikoni masa të tjera parandaluese, si higjiena e duarve, mbajtja e maskës në hapësirat e mbyllura dhe me shumë njerëz, distancimi fizik dhe ajrimi i duhur i mjediseve ku qëndroni.
 A do të më duhet të vaksinohem çdo tre muaj tani e tutje?
Nuk dihet ende nëse do të nevojiten doza të tjera përforcuese, as sa shpesh. Vendimmarrësit do të duhet të marrin parasysh provat e shfaqura për zbehjen e mbrojtjes së ofruar nga vaksinimi me kalimin e kohës, si dhe mbi dhe evoluimin e virusit.
 Pse duhet të vaksinohem kur variante të reja po shfaqen vazhdimisht dhe ne nuk e dimë nëse vaksinat funksionojnë?
 Edhe pse mbrojtja e ofruar nga vaksinimi zbehet me kalimin e kohës, vaksinat mbeten shumë mbrojtëse ndaj formave të rënda të sëmundjes së shkaktuar nga SARS-CoV-2, virusi që e shkakton COVID-19 dhe variantet e tij disa muaj pas vaksinimit të plotë, që do të thotë (për shumicën e vaksinave) vaksinimi me dy doza. Dozat përforcuese të administruara disa muaj pas vaksinimit me dy doza mund të rivendosin mbrojtjen fillestare të ofruar nga vaksinimi, gjithashtu në prani të varianteve të reja si Delta dhe Omicron.
 A do të ketë së shpejti vaksina të reja në dispozicion që funksionojnë posaçërisht kundër Omicron?
Prodhuesit e vaksinave po punojnë në zhvillimin e vaksinave specifike kundër Omicron. Këto vaksina mund të bëhen të disponueshme më vonë këtë vit, por koha e saktë nuk mund të parashikohet ende me saktësi.
Si do të duket COVID-19 brenda një viti, pesë, dhjetë? A do të përfundojmë me një virus shumë ngjitës, por më të butë?
Ka të ngjarë që SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, të vazhdojë të qarkullojë dhe të evoluojë, por nuk është e mundur të parashikohet se si do të ndikohet ashpërsia e COVID-19 nga ky evolucion. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të arrihen dhe të ruhen nivele të larta të mbulimit të vaksinimit në të gjithë popullatat, gjithashtu në nivel global. Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurtë.
 Unë e kam pasur tashmë COVID-19 dhe e kam kaluar. A mund të infektohem akoma me Omicron? A duhet ende të vaksinohem?
 Ende nuk dihet për sa kohë infeksioni i mëparshëm me SARS-COV-2, mbron nga infektimi përsëri dhe infeksioni i mëparshëm nuk mbron plotësisht nga infeksioni me variantin Omicron. Të dhënat e disponueshme aktualisht tregojnë se rreziku i ri infektimit është dukshëm më i lartë me variantin Omicron krahasuar me variantet e tjera. Dozat përforcuese të vaksinës COVID-19 mund të rrisin mbrojtjen kundër infeksionit dhe sëmundjes së lehtë/të moderuar me variantin Omicron./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

Drejtësi
Babai i Vanjës me ankesë të re para Gjykatës Supreme, kërkon që t’i hiqet masa e paraburgimit

Babai i Vanjës me ankesë të re para Gjykatës Supreme, kërkon që t’i hiqet masa e paraburgimit

Gjyqësi
Sindikata e Re e KEK-ut, ajo e Administratës dhe e Trepçës reagojnë ndaj kryetarit të BSPK-së për disa vendime

Sindikata e Re e KEK-ut, ajo e Administratës dhe e Trepçës reagojnë ndaj kryetarit të BSPK-së për disa vendime

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori