LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Për shkak të mos marrjes së pagave, punëtorët e Postës po shndërrohen në raste sociale (Video)

Hoti: Për shkak të mos marrjes së pagave, punëtorët e Postës po shndërrohen në raste sociale (Video)

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje publike janë në gjendje të vështirë për shkak të mos marrjes së pagave.

Ai ka treguar se vonesat për dhënien e pagave për rreth 1000 të punësuarit në Postë, ka bërë që nga muaji në muaj, gjendja e tyre sociale të keqësohet.


“Punëtorët e Postës janë në grevë të përgjithshme, sepse është data 10 shtator dhe punëtorët nuk i kanë marrë pagat as për muajin gusht. Kërkesat janë që të jepen pagat për të gjithë punëtorët dhe të mos ketë vonesa të tilla”, tha Hoti.

Sipas tij, Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës, duhet të mendojnë për zgjidhje afatgjate për Postën.

“Problemi qëndron se nuk kemi asnjë alternativë në tavolinë dhe nuk ka ofruar zgjidhje askush për të dalë nga kjo gjendje.

“Si sindikatë kemi filluar me grevën e përgjithshme, hapat e mëtejmë do të jenë protesta para Qeverisë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve”, tha Etrit Hoti kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës.

Sipas tij, Postës duhet t’i jepen më shumë shërbime pasi që me këto shërbime do të përmirësohet gjendja financiare e saj.

“Zhvillimet teknologjike kanë bërë që të bien shërbimet postare. Aktualisht Posta e Kosovës, përpos gjykatave nuk kryen as një shërbim për institucionet e tjera. Posta duhet të këtë tretman që t’i merr të gjitha shërbimet shtetërore me kërkesën kapitale themelimin e Postë Bankës. Për themelimin e saj, duhet një vullnet nga institucionet”.

Mos marrja e pagave dhe fillimi i vitit të ri shkollor ka bërë që gjendja e punëtorëve të jetë edhe më e rëndë.

“Punëtorët e postës janë në një gjendje të jashtëzakonshme, janë mbajtës të familjeve dhe është fillimi i vitit të ri shkollorë dhe asnjëri nuk ka pasur mundësi për tu blerë fëmijëve materialet e nevojshme shkollore. Po ashtu shumica janë në kredi dhe janë me vonesa për pagesën e kësteve të kredisë. Vonesa ka sjelle dhe rritje të kamatave. Me një fjalë punëtorët e Postës së Kosovës janë raste sociale”, tha kryetari i Sindikatës së Postës së Kosovës, Etrit Hoti. /Telegrafi/