LAJMI I FUNDIT:

Historianët bullgar: Kryengritja e “Ilindenit” – etapa më e rëndësishme në bashkimin e Bullgarisë

Historianët bullgar: Kryengritja e “Ilindenit” – etapa më e rëndësishme në bashkimin e Bullgarisë

Në prag të manifestimit të 113 vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit janë shpeshtuar publikimet nëpër mediat bullgare, në të cilat historianët bullgar flasin për rëndësinë e kësaj kryengritjeje për luftën dhe bashkimin kombëtar bullgar, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Sipas historianëve bullgar “Ilindeni” është etapë e rëndësishme e luftërave për çlirim kombëtar dhe për bashkim të Bullgarisë. Sipas tyre kjo është kryengritja më masive e cila i ka plotësuar qëllimet strategjike dhe ka paraqitur përgatitje morale për fitoret e mëdha bullgare në Luftën Ballkanike të viteve 1912-1913.

E djathta bullgare para do kohësh ka vendosur kurora me lule në monumentin e Revolucionarëve të rënë bullgar nga Maqedonia, në Odrin dhe Traki, në nder të Kryengritjes së “Ilindenit”.


„Kjo është kryengritja më e madhe bullgare në robërinë e gjatë turke prej pesë shekujsh. Kryengritja më e gjatë dhe më e organizuar“, vlerëson Krasimir Karakaçanov, njëri nga politikanët më të zëshëm bullgar për mosekzistimin e kombit maqedonas.

Drejtori i Muzeut kombëtar historik të Bullgarisë, Bozhidar Dimitrov, historian dhe politikan i njohur për qëndrimet e tij anti-maqedonase, thotë se Kryengritja e “Ilindenit” nga aspekti historik është padyshim një kryengritje bullgare.

„Është më se e qartë se paraardhësit e atyre trimave, të cilët tani udhëheqin me Shkupin dhe deklarojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët me popullin bullgar, gjyshërit i kanë pasur bullgarë. Në dokumentet e shumta që i kanë lënë, thuhet se kjo është një kryengritje bullgare e cila përgjithmonë do të mbetet si argument për të drejtat tona jo vetëm ndaj kryengritjes por edhe ndaj tërë Maqedonisë“, ka deklaruar Dimitrov në një intervistë për agjencinë Fokus.

Përndryshe para dy ditësh në Smilevë, Klubi kulturor bullgar në Maqedoni, ka organizuar kremtimin e 113 vjetorit të Kryengritjes së “Ilindenit” nën moton “T’ia kthejmë vetes OBRM-në”./Telegrafi/