Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përkujtuar Pashke Markun, nënën që dogji veten në vitin 2003 pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga forcat serbe.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se plagët e luftës nuk shërohen pa të vërtetën dhe pa drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.


Lexoni të plotë postimin:

Në përvjetorin e vetësakrificës, kujtojmë me nderim gruan që me zjarr e shkroi historinë e dhembjes së nënës.

Sot përkujtojmë Nënën Pashke dhe dhembjen e pamatshme të të gjitha nënave që ende presin me ankth për të vërtetën mbi fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Plagët e luftës nuk shërohen pa të vërtetën dhe pa drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë nuk mund të harrohen kurrë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Nënën Pashke!. /Telegrafi/