LAJMI I FUNDIT:

Toka që ndryshoi historinë e Ballkanit dhe Tyrbja e Sulltan Muratit

Toka që ndryshoi historinë e Ballkanit dhe Tyrbja e Sulltan Muratit

Është objekti i parë që përfaqëson praninë osmane në Kosovë. Ndërtuar në shekullin XlV-të, Sulltan Bajaziti ia dedikoi atë babait që u vra në luftën kundër forcës ushtarake të përbërë nga shumë popuj të Ballkanit.

Në një hajat të vogël, tash e 600 vjet ekziston një si varr ku thuhet se janë organet e Sulltan Muratit meqë trupi i tij është varrosur në Bursa të Turqisë. Disa të tjerë thonë se u ndërtua mbi shenjat e gjakut të Muratit.


Muhamer Hasani, ciceron në Tyrben e Sulltan Muratit, tregon se aty ndodhen organet e brendshme të sundimtarit që e fitoi Betejën e Kosovës dhe vulosi sundimin shekullor osman në Ballkan. Kjo për faktin se në vitin 1389, e vetmja forcë transportuese ka qenë kafsha. Meqë udhëtimi për në Bursë ka zgjatur me javë, atëherë është dashur të nxirren organet e brendshme.

“Shumica e vizitorëve janë prej Turqisë, ndërsa pjesa tjetër të Evropës. Viteve të fundit kemi vizitorë edhe prej Japonisë, Malajzisë edhe Kinës”, tregon Hasani.

Historia e tyrbes ruhet e dokumentuar në një objekt tjetër. Është kjo bujtina e ndërtuar në vitin 1896 që sot është shndërruar në muze. Brenda këtij objekti ndodhen fotografi të vitit 1911, me rastin e vizitës së Sulltan Reshatit në Kosovë. Një dhomë tjetër është e pritjes ku ndodhet sofra me mangella e shilte. Në muze është edhe dhoma me epigrafet e hamamgjikun tipik të shekullit të XlX. Në katin e dytë të muzeut janë të ekspozuar edhe bendi i mehteranëve – nga më të vjetrit në historinë e bendeve ushtarake, muzika e të cilëve ka shërbyer si presion psikik ndaj kundërshtarëve. Ndërkaq, në dhomën e fundit janë topuzët e shpatat.

Në oborrin ku ndodhet tyrbja, është një shtëpi e vogël ku jeton Sanija. Detyra e saj është përkujdesja për tyrben, për çka familja e saj ka marrë mbiemrin Tyrbedari. /KP/