Pas 82 vitesh, qëkurse Mbreti Zog e porositi, godina e Teatrit Kombëtar, skena e historisë së kryeqytetit ku kanë hyrë e kanë dalë fashistë, nazistë, komunistë, artistë e së fundi protestues, u shemb në të gdhirë të datës 17 maj, duke i dhënë fund kështu ekzistencës së një objekti që mbartte mbi vete gati një shekull të memories sonë kolektive.
Kushdo që e ka quajtur atë godinë “dopolavoro” (vend zbavitjes se fashistëve – v.j.), “godinë fashiste”, e më radhë e ka thënë ose nga padija ose me ndërgjegje të plotë mbushamendjeje.
Të gjithë ata që luftuan ta shembnin dhe ia arritën qëllimit, i përkasin padyshim kategorisë së dytë. Kujtesa është ende e gjallë dhe letrat kanë dalë me kohë. Fanatikët e historisë së qytetit, e kanë shkruar në libra dhe historianët, kërkuan sërish arkivave për të nxjerrë dokumente, që vërtetonin se godina e Teatrit Kombëtar nuk ishte thjesht një ndërtesë e përkohshme tallashi. E faktoi më së pari përmes dokumentesh historiani dhe kritiku i artit, Rubens Shima, e më tej një nga mendjet më të ndritura, skrupulozi Aurel Plasari.
Jeta e godinës së Teatrit Kombëtar zuri fill atëherë kur mori hov urbanizimi i Shqipërisë, pikërisht gjatë periudhës mes dy luftërave botërore. Një proces që u udhëhoq nga arkitektët dhe urbanistët italianë, të kontraktuar nga Mbreti Ahmet Zogu I. Rreth viteve 1928 krijohet Zyra për Ndërtim dhe Planifikim Urban të Shqipërisë në Tiranë, e drejtuar mes vitet 1930-35 nga Giulio Berté. Pas përfundimit të kompleksit të ministrive nga arkitekti Florestano Di Fausto, Bertésë do t’i besohej plani rregullues i qendrës së Tiranës.
Në vitin 1938 do të projektonte godinën e Rrethit italo-shqiptar “Scanderbeg”, qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese. Punimet për ngritjen e kësaj godine u realizuan nga firma “Pater” dhe përfunduan pak muaj pas pushtimit të Shqipërisë. Kjo godinë ka nisur punimet në janar të 1938-s dhe ka përfunduar në shtator të 1939-s.
Siç citon historiani Shima, në gazetën “Fashizmi” – e mërkurë, 31 maj 1939 – Vjeti XVII me titull: ‘Rrethi ‘Scanderbeg’ – Ngrehinë e madhe kulturore, artistike dhe argtimore’ – jepet një përshkrim i plotë i hapësirës që zë godina e përfunduar dhe sallat e saj. “Rrethi ‘Scanderbeg’, që asht ngritë në qendrën kryesore të Tiranës: në rrethin e Sheshit të Ministrivet, përfshinë në gjanësinë e tij një vend prej trembëdhjetë mij metrash katrorë, nga të cilat shtatë mij metra katrorë, janë të mbulueme nga ndërtesa…”, raporton gazeta, për të vijuar më vonë me një përshkrim të brendshëm të ndërtesës: “Vizitori hyn në një hajat të madh e të gjanë që bashkon të dy degët e mëdhaja të ndërtesës, nga të cilat njana asht e destinueme për theatër, sallë e madhe që do mundë të përfshijë në rreth të vet, në komoditet të plotë, një sasi publiku prej tetëqind vetësh, ndërsa tjetra asht një varg sallash të mëdhaja, që vijnë njana mas tjetrës, në rend të përkryem artistik dhe që janë të destinueme: nji për pritje, nji për Biblotheke, nji për lojë, nji për restorant, nji për zyrë… Përbri të dy godinavet të mëdhaja asht ngrehun, mandej, Palestra e Gjimnastikës….Mbas saja vjen salla e Tenisit, nji nga të cilat do të jetë e mbulueme, në fund asht pishina …”
Pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të saj ka qenë dokumentimi, studimi dhe përhapja e prodhimit kulturor dhe artistik të kohës, nëpërmjet Bibliotekës, Zyrës së Informacionit, Zyrës së përkthimit letrar etj.
Në Arkivin Qendror Shtetëror gjendet statuti i kësaj qendre, ku ndër të tjera parashikohet: “Pika A: Biblioteka… Mbledh dokumente të letërsisë së shkruar shqiptare dhe sidomos veprat e Jeronim de Radës, Luigj Gurakuqit, Antonio Maria Zanonit, Ndre Mjedës, Patër Fishtës, Xhuzepe Skiroit, Ali Asllanit, prozatorëve Lumo Skëndo, Faik Konica, Patër Anton Harapi dhe të bashkëkohorëve, sidomos të klasikëve të gjallë si Koliqi dhe simbolistëve si Pogradeci… Pika D: Kujdeset ose drejtpërdrejt, ose duke ia besuar punën shkrimtarëve të mirënjohur, për përkthimin e veprave shqiptare në gjuhën italiane dhe të veprave italiane në gjuhën shqipe…”.
Është e qartë se nuk bëhej fjalë për një “dopolavoro”, por një qendër mirëfilli kulturore. Selia qendrore e Veprës Kombëtare e Paspunës do të ndërtohej në vitet e para të pushtimit nga Gherardo Bosio dhe është pikërisht Universiteti i Arteve sot. Gjatë pushtimit italian, godina e Rrethit “Scanderbeg” ka shërbyer për aktivitete kulturore dhe sportive. Pas kapitullimit italian, ndërtesa u transformua në kinema dhe ndërroi emër në “Kinema Kosova”.
Sipas Aurel Plasarit, me çlirimin e Shqipërisë, kinemateatri vijoi të quhej edhe për një copë kohë “Kosova” dhe përpos filmave të “aleatëve”, po aty filluan në mënyrë të organizuar shfaqjet e para të atij që në krye u emërtua si “Teatri i Tiranës”, mandej si “Grupi Teatral Profesionist i Shtetit”, me emra aktorësh që tanimë kanë bërë histori të Teatrit Shqiptar: Mihal Popi, Lazër Filipi, Andon Pano, Melpomeni Çobani, Nikolla Panajoti, Prokop Mima, Besim Levonja dhe Behije Çela, Drita Kripa (Pelingu), Andrea Malo etj., deri kur më 24 maj 1945, struktura e re të emërtohej “Teatri Profesionist i Shtetit”.
Qysh në muajt e parë të 1945-së, rifilluan koncertet artistët e mëdhenj lirikë: Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Jorgjie Filçe-Truja, Giuseppina Kosturi etj., të shoqëruar prej orkestrës së Radio-Tiranës nën dirigjentin Umberto Oscari, si dhe koncertet vokale të drejtuara nga mjeshtri Kostandin Trako. Po aty janë zhvilluar edhe disa nga proceset e “Gjyqit Special”.
Në atë godinë ka zënë fill edhe historia e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në vitin 1950-të u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik. Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën e TK dhe më vonë, në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve.
Në ndërtesën paralele, ish-“Qarku italo-shqiptar Skanderbeg” riorganizohej, në të njëjtën kohë, nën emërtesën e re “Shtëpia e kulturës”. Sipas Plasarit, “për fat të mirë, arkivi dhe pothuaj e gjithë baza materiale dokumentare, përfshi edhe tekstet e gatitura për botim, e ish-dy Instituteve të Studimeve Shqiptare (të 1940-s dhe të 1943-shit) qenë ruajtur. Mbi atë bazë u themelua më 1946 Instituti i Shkencave me disa degë, të cilat do të shërbenin më mbas si themelet e reja të instituteve të Historisë, të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Arkeologjisë, të Folklorit”.
Pjesa tjetër e mjediseve u kthye në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve. Në vitet ’60-’70 ka qenë një nga klubet më të frekuentuara të Tiranës. Me ndryshimin e sistemeve, gjatë viteve të tranzicionit, kjo pjesë e kompleksit të dikurshëm ka shërbyer edhe si bingo, por gjatë viteve 2000 do t’i rikthehej sërish Teatrit dhe aty do të përshtatej Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. /Panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëMemli heq fotot e Nënës Terezës dhe Ibrahim Rugovës
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
GJUHA SHQYPE
Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!
Duke udhëtuar me Nikos Kazantzakisin, në hapësirë dhe kohë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët