LAJMI I FUNDIT:

Hipnoza e dikurshme dhe iluzioni i tanishëm

Edhe pse nuk është gjithaq e largët koha kur Kosova e përjetojë një prej eksodeve më të tmerrshme, me të cilën u mbyll shekulli i vjetër, shikuar nga perspektiva e tanishme, koha e atëhershme duket aq e largët, jo vetëm shkaku se shënoi ndërrimin e shekujve, apo për arsye të vuajtjeve dhe tragjedive që i përjetuam si popull, por edhe shkaku i lodhjes, e cila prodhoi “bijtë e shekullit 21”, të plakur para kohe.

Kuptohet, asnjëri nga ne nuk dëshiron të kujtojë çaste të vështira dhe është mirë ato të mbeten vetëm në një kënd të mbamendjes, e cila në vazhdimësi si hije do t’i përcjellë, në heshtje, të gjithë ata që e patën fatin ta ndjejnë mbi kurrizin e tyre njërin prej sistemeve më të egra të kohëve moderne….


Ndonëse, kujtesa e të gjithë neve është e ngarkuar me përjetime më të rënda të kohës së viteve të 90- ta, si vegim i pashmangshëm më kujtohet koha kur, atëbotë, disa aktivistë të zellshëm të LDK – së, i shpërndanin, shtëpi më shtëpi, disa fletëvotime, të fshehura me kujdes. Dhe kur i shpalosnin para votuesve të atëhershëm, nuk dihej se cila dorë dridhej më shumë, ajo që e zgjaste letrën, apo ajo që e nënshkruante.

Më kujtohet se kishte edhe emra të tjerë të shënuar në listën, e cila rëndom përmbante deri në tri mundësi zgjedhjeje, por, nga shpejtësia me të cilin përfundonte i gjithë ai proces, askush nuk arrinte t’i shikonte të gjitha alternativat, aq më pak ne që nuk e kishim moshën për të votuar, e që në të njëjtën kohë ishim më kureshtarët. Madje, kjo gjë as që ishte e nevojshme, sepse askush nuk kishte hamendësim se për kë duhej të votonte.

Në fillim të viteve të 90-ta, i tërë populli i ishte bashkangjitur një lëvizjeje të vetme që e kishte të zgjedhurin e saj, i cili jo shumë vite më vonë, do t’i trondiste me takimin e famshëm, të gjithë ata, të cilët përkundër të gjitha katrahurave të vitit ‘99, vazhdonin të qëndronin në Kosovë.

Dhe me gjasë, që nga koha kur aktivistë vullnetarë të LDK – së, ia mësynin natën vonë shtëpive për t’i marrë votat e nevojshme, shumë votuesve të atëhershëm, iu shndërrua në traditë rrumbullakësimi i atyre shkronjave që nënkuptonin një vizion të ri për ne aso kohe, një shkurtesë, të cilës ne më të rinjtë as që ia dinim kuptimin, por e dinim ama se nuk guxonim ta thoshim zëshëm.

Dhe si për inat, ky emër i ri, i panjohur dhe aq i ndaluar, për ne më të rinjtë, u shndërrua në slogan të preferuar, të cilin e përsërisnim kudo, rrugës për në shkollë ose shitore, kur luanim, kur mësonim, në ëndërr ose zgjuar, aq sa e tëra u shndërrua në një obsesion dhe, si të magjepsur, sa herë e shqiptonim, përjetonim një katarzë të fuqishme, e cila nxitet kur shpërthen fuqishëm diçka që e mban gjatë tërë kohës të ndryrë.

Kishte të atillë, që ishin edhe më “trima” dhe rastësisht, të udhëhequr nga ndonjë zë i brendshëm apo edhe nga doza e tepruar e hipnozës që e shkaktonte kjo shkurtesë, i ngrinin dy gishtërinjtë përpjetë dhe jo rrallëherë bëheshin shkaktarë që rrugën e kthimit nga shkolla për në shtëpi ta bënim me vrap, të ndjekur nga ata, të cilët na kishin rrënuar edhe besimin se dikush mund të na mbrojë.

Për fat të mirë, gjithmonë shpëtonim! Ose neve asokohe na bëhej ashtu, sepse ishim shumë të rinj që ta kuptonim se qëllimi i atyre që na ndiqnin, ishte që ta ndjenim frikën deri në palcë, në moshën kur ajo ngjizej më së lehti. Bindja, se ata e kishin vetëm qëllimin të na frikësonin që mos të na shkonte mendja të shqiptojmë ndonjë emërtim më të rrezikshëm për ta, mu forcua kur pas një kohe, në sipërfaqe doli një shkurtesë tjetër, e patolerueshme dhe e cila bartte pasoja të skajshme jo vetëm për ata që guxonin ta thoshin, por edhe për ata që dukeshin të dyshimtë se mund t’iu kalonte nëpër mendje ta pëshpëritnin një emër të tillë – UÇK.

Kam përshtypjen se më të mëdhenjtë, po të kishin mundësi, edhe do të na i mbyllnin veshët vetëm që mos ta dëgjonim. Se ata do të na lejonin të themi jo heshturazi, por edhe me zë të lartë emrin e partisë së vetme të asaj kohe, apo edhe të udhëheqësit të saj, vetëm me kushtin që shkurtesën e re, e cila doli në sipërfaqe dhe filloi vetëtimthi të depërtojë në ndërdijen tonë, mos ta zinim në gojë kurrë.

Por, ishte shumë vonë. Ne tashmë e kishim thënë, jo vetëm pse ishte aq egërsisht e ndaluar, por pse më nuk na bënte të ndjejmë asgjë të veçantë ndalesa e mëparshme, e cila më nuk iu pengonte as atyre nën thundrat e të cilëve ishim.

Pavarësisht të gjithave, aktivistët e asokohshëm, vazhdonin edhe më tutje të vinin nëpër shtëpitë tona. Sa më shumë kohë që kalonte, atyre u duhej të ishin më këmbëngulës dhe me gishtërinj që u dridheshin, e tregonin katrorin ku duhej ta vinin shenjën ata që e kishin këtë të drejtë. Dhe në fund, “votuesit” bindeshin, më shumë pse s’donin t’i trazonin shpirtrat e atyre që kishin ndërmarrë këtë iniciativë, se sa që besonin se me atë votim, do të ndryshonin gjendjen, e cila sa vinte e rëndohej më shumë.

Dhe që nga ajo kohë, edhe sot kur dëgjoj dikë të jetë skeptik për të votuar, para sysh më dalin LDK–istët e dikurshëm, të cilët mbase edhe pa vetëdije, i kishin arritur disa qëllime në të njëjtën kohë – se vota që nuk do tu jepej atyre, nuk do të ishte e vlefshme për askënd. Ata kishin arritur që në vetëdijen kolektive ta rrënjosin vulën e një sistemi, të cilin e kishin shpallur si demokratik, edhe pse ai sistem e kishte një trajtë, e cila njihet me një emër tjetër.

Dhe trashëguesit e sotëm të LDK – së, bëjnë të pamundurën që të gjithë atyre, të cilët vendosin të dalin në zgjedhje, mos t’iu zbehet kujtimi i shkronjave, në prapavijën e së cilave dikur qëndronin dy gishtërinj të ngritur, të hijezuar nga një dritë e zbehtë e qiriut dhe një buzëqeshje e ngrirë, e cila si jehonë hipnotizuese që ka zënë rrënjë dy dekada më parë, i thërret me fjalët “voto dhe duro”.

Pikërisht, kjo hipnozë e dikurshme, e cila zëvendësohet me iluzionin e tanishëm, sot, e bënë më të durueshme egërsinë e thirrjeve të atyre, të cilët sot demantojnë çdo proces zgjedhor që nuk është në favor të tyre, derisa mos t’i arrijnë rezultatet e dëshiruara, madje edhe me kushtin që votuesit e tyre, të flenë nëpër qendrat e votimit, në vend se nëpër shtëpitë e tyre.

Paria e sotshme e LDK –së, ushqehet me shpresën se shumica e votuesve kanë mbetur të papërcaktuar dhe të pa këndellur nga hipnoza e dikurshme, e cila vazhdon të përsëritet nga iluzionistët e sotshëm. Sepse ata e dinë se investimi i tyre në të kaluarën, i ka rrënjët e forta, po aq të forta sa i ka edhe sistemi socialist në Shqipëri, i cili çdo ditë e më shumë vërtetohet përmes “xhaxhallarëve të rinj” dhe “pinjollëve të bllokut”.

Në trend

Më shumë
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Magazina
Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Liga e Kampionëve
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori