LAJMI I FUNDIT:

Hiperparatiroidizmi primar – problemet që sjell në shëndet

Hiperparatiroidizmi primar – problemet që sjell në shëndet

Hiperparatiroidizmi parësor është një gjendje kronike e karakterizuar me rritje të sekretimit të hormoneve për shkak të adenomës, hiperplazisë ose karcinomës së gjëndrave paratiroide

Dr. Iliriana Hana Goranci
Interniste-endokrinologe
Poliklinika-endoCLINIC
Tel. 044660900


Hormoni që e shkakton sëmundjen është Parathormoni i cili prodhohet në tepricë në gjëndrat paratiroide.

Gjëndrat paratiroide janë pjesë e sistemit endokrin. Katër gjëndrat e vogla me madhësi sa kokrra e orizit, peshojnë afërsisht 30 mg. dhe janë të lokalizuara normalisht në anën e pasme të gjëndrës tiroide. Në raste të rralla, mund të kenë edhe lokalizime tjera.

Këto gjëndra prodhojnë hormonin parathormon (PTH), i cili rregullon nivelin e kalciumit në gjak, poashtu dhe fosforit.

Veprimi i parathormonit:

– Eshtrat lirojnë mineralet nga eshtrat për të siguruar zhvillimet metabolike në organizëm .
– Veshkat rritin reabsorbimin (thithjen) e kalciumit
– Ndodh konvertimin i 25 hidroksi vitaminë D në 1.25 dihidroksi vitaminë D, i cili bënë absorbimin e kalciumit në zorrë.

Gjendjet ku dominon prodhimi i shtuar i PTH quhet Hiperparatiroidizëm i cili varësisht nga shkaktarët, mund të jetë parësor (primar), dytësor (sekondar) dhe tretësor (terciar).

Hiperparatiroidizmi primar

Incidenca dhe prevalenca e sëmundjes:

Sëmundja ndodh në secilën moshë por më tepër prekë moshat rreth të 50–ve; tre herë më tepër femrat se meshkujt.

Shkaktarët e sëmundjes

– Adenoma e njërës nga gjëndrat paratiroide në 85%-90%t ë rasteve.
– Hiperplazioni (rritja) e gj. paratiroide ose adenoma multiple (disa) në 10-15%
– Karcinoma në gjëndrën paratiroide në më pak se 1%.

Shumica e individëve me hiperparatiroidizëm primar nuk zhvillojnë simptoma (asimptomatike) ose simptoma mesatare.

Sëmundja fillimisht prekë:

– Eshtrat, duke ulur densitetin ashtëror; fraktura në boshtin kurrizor.
– Veshkat, duke formuar gurët deri në kalcinozë dhe pamjaftueshmëri të veshkave
– Gjithashtu, mund të atakojë zemrën, sistemin gastrointestinal dhe sistemin nervor.

Disa pacientë me hiperparatiroidizëm asimptomatik kanë raportuar për dobësim, plogështi, depresion, problem me koncentrim dhe kujtesë.

Hiperparatiroidizmi asimptomatik mund të rritet dhe të zhvillojë formën klasike të hiperparatiroidizmit primar.

Hiperparatiroidizmi primar klasik

– Pasqyra klinike është më e shprehur: dhembje në regjionin e veshkave (colica renale)

– Dhembje të eshtrave (osteoporozë), gjerë në thyerje të tyre.

– Sëmundja mundë të përcillet edhe me simptoma jo specifike si: humbje në peshë, të vjella, kapsllëk, etje e shtuar, urinim i shtuar, lodhje dhe
plogështi.

– Ndonjëherë shprehet edhe me SKV si hipertensioni, aritmia, trashja e muskulit te zemrës.

– Si ecuri më e rëndë e sëmundjes është osteiti fibroz cistik.

– Komplikim më i rëndë është crisa paratiroide (hiperkalcemike) e cila rrezikon jetën dhe duhet vepruar shpejtë për të ulur nivelin e kalciumit në gjak, rehidratimin e pacientit, etj.

Diagnoza vendoset me analizën e kalciumit në gjak e urinë dhe parathormonit në gjak.

Format asimptomatike nganjëherë zbulohen rastësisht me analizën e kalciumit i cili është më i lartë se normal; me ultrazë të qafës dhe scintigrafi të gjëndrës paratiroide.

Rekomandohet DXA për vlerësim të densitetit të ashtit.

Terapia:

Në format asimptomatike, bëhet përcjellja e pacientit derisa gjendja e tij është e mirë.

Kur gjendja avancon, trajtimi operativ është zgjedhje që siguron shërimin e plotë të pacientëve në 95% të rasteve. /Telegrafi/