LAJMI I FUNDIT:

Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të respektojë obligimet

Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të respektojë obligimet

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend duke iu bërë thirrje serbëve që t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës.

Të shtunën serbët e Kosovës dhanë dorëheqje nga të gjitha pozitat në institucionet publike, në shenjë proteste ndaj vendimit për implementimin e targave, dhe kërkuan formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.


Hill tha se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rrezikojnë përparimin e rëndësishëm të bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke iu bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha Hill për një medium serb.

Ai tha se SHBA-ja i bashkohet BE-së duke iu bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë, që do të thotë se procesi për ri-regjistrimin e automjeteve duhet të zgjatet menjëherë dhe çdo masë ndëshkuese ndaj pronarëve të targave KM të pezullohet derisa palët të zgjidhin çështjen e targave brenda dialogut.

“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën”.

Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Hill.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave”. “Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill. /Telegrafi/