LAJMI I FUNDIT:

​Hezitimi i mjekëve për vaksinim kundër COVID-19, shembull i keq për qytetarët

​Hezitimi i mjekëve për vaksinim kundër COVID-19, shembull i keq për qytetarët

Nga rreth 15 mijë profesionistë shëndetësorë sa ka Kosova në sektorin publik dhe privat, vetëm rreth 5 mijë prej tyre kanë marr dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. E ky hezitim i mjekëve për t’u vaksinuar po shihet si një shembull jo i mirë për qytetarët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Faik Hoti deklaron se ka profesionistë shëndetësorë që kanë hezituar të vaksinohen, por ka edhe të tjerët të cilat kanë antitrupa pasi tashmë e kanë kaluar COVID-19.

“Prej tyre rreth 5000 janë nga personeli shëndetësor. Ka prej atyre që e kanë marrë sikur tregojnë edhe shifrat, ka të tjerë që e kanë kaluar COVID-19 dhe mendojnë që kanë ende antitrupa dhe mendojnë të vaksinohen në ndërkohë, sikur që ka edhe atillë që kanë hezituar sigurisht. Por, rekomandimi i fuqishëm i MSh-së është që të vaksinohen të gjithë personeli shëndetësor, për të siguruar imunitet aktiv kundër virusit”, thuhej në përgjigjen e zëdhënësit të MSh-së.

Shembull jo i mirë për qytetarët e Kosovës po konsiderohet hezitimi i mjekëve për t’u vaksinuar.

Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli thotë se stafi mjekësor nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar.

Sipas saj vaksinimi është mënyra për të dalë nga izolimi dhe për të shpëtuar nga pandemia COVID-19.

“Mua më çuditë stafi mjekësor për besë po mundohem me i arsyetuar në një mënyrë por nuk e shoh fare të arsyeshme një reagim të tillë. Jep një shembull të keq tek popullata e cila është e ngulfatur që 13 muaj nga pandemia, një situatë që nuk e kanë kuptuar mirë dhe nuk e kanë ditur në fund të fundit se çka është pandemia. T’i shoh këta njerëz që t’i kërkon kujdes prej tyre duke mos u vaksinuar është një shembull që nuk e kisha ndjekur. Nuk e kanë me të drejtë dhe nuk e kanë mirë vetëm se ata janë duke protestuar rreth kësaj nuk besoj që është një shembull që duhet ndjekur. E vetmja mënyrë që ne të dalim prej këtyre izolimeve prej mbylljeve totale apo të pjesërishme është vaksinimi, çfarë do metode vetëm ka me ngadalësuar dhe ka me zgjatë një proces i cili shtetet tjera e kanë nisur nga dhjetori”, theksoi Xhemajli.

I befasuar me hezitimin e mjekëve për t’u vaksinuar u shpreh edhe’ kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu. Sipas tij arsyet për mos vaksinim të stafit mjekësor kanë qenë dilemat e ngritura përgjigje të cilave do duhej t’u jepte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Ne kemi pritur një numër shumë më të madh të them të drejtën sepse sipas kalkulimeve tona diku janë në Kosovë rreth 15 mijë deri 16 mijë personel shëndetësor, flasim edhe për sektorin privat të cilat do duhej të vaksinoheshin. Dhe nga mjekët janë 4 mijë e 400 dhe ne kemi pritur që së paku deri në 70-75% të vaksinohen duke pasur parasysh edhe që një pjesë e kanë kaluar sidomos në tre muajt e fundit COVID-in, dhe ndoshta do duhej të pritej një fazë tjetër për vaksinimin e tyre. Dhe ka qenë surprizë prej neve që vetëm rreth 2 mijë e 200 mjekë pra 50 % janë vaksinuar. Arsyetimet për hezitim ka qenë sqarimi i dy çështjeve në të cilat Instituti është dashur të sqarohet dhe ne kemi bë shkresë Institutit të sqarojnë edhe për publikun sepse do vlen edhe për ta se cila është koha optimale pas negativizimit të atyre të cilat kanë qenë pozitiv me COVID që të merret me vaksina dhe sa është e ndërlidhur çështja e antitrupave me nevojën për vaksinim dhe një gjë e tillë nuk është sqaruar asnjëherë. Dhe këto dy çështje janë ngritur shumë prej kolegëve tanë se a duhet dhe nuk ka nevojë sepse kemi antitrupa dhe po ata antitrupa i fitojmë edhe me vaksinë. Por gjithsesi jemi pak të zhgënjyer sepse nuk është mesazh i mirë për popullatën”, theksoi Sejdiu.

Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikes Infektive, Izet Sadiku ka thënë se rreth 100 mjekë dhe infermierë të kësaj klinike tashmë kanë marr dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

Sipas tij ata që janë vaksinuar nuk kanë pasur komplikime të rënda, përveç atyre që sjell çdo vaksinim tjetër.

“Edhe pse infektologët 90 % e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë pasur antitrupa pra janë vaksinuar për arsye e para është propozimi i tillë që ata që e kanë kaluar me marr një dozë dhe me iu tregua kolegëve të tjerë se vaksina është shumë e domosdoshme me u marr dhe tek ne mbi 100 vetë domethënë shumica e punëtorëve e kemi marr. Tek ne janë vaksinuar dhe nuk kanë pas komplikimet të gjitha komplikimet kanë qenë të zakonshme, nuk ka pasur ndonjë rast të rëndë të komplikimit”, theksoi Sadiku.

Krahas stafit mjekësor që janë vaksinuar në Kosovë, rreth 500 mjekë nga Kosova, në fund të marsit u vaksinuan kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë me vaksinën e AstraZenecas.

Ndërsa, më 28 mars në Kosovë arriti kontingjenti i parë i 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca, të cilat u dhuruan nga COVAX. Prioritet në këtë fazë të parë të vaksinimit kishin personelit shëndetësor dhe personat e moshuar. Ndërsa, tani janë bërë afërsisht një muaj prej se ka nisur shpërndarja e këtyre vaksinave./kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori