Hematokriti i lartë apo i ulët? Ja çfarë mund të zbulojë ky test i zakonshëm

Një devijim në rezultat mund të lidhet me gjendje krejt të ndryshme – dhe jo gjithmonë nënkupton të njëjtin problem
Testi i hematokritit (Hct) është një analizë e thjeshtë gjaku që mat përqindjen e rruazave të kuqe të gjakut, ose eritrociteve, në vëllimin e përgjithshëm të gjakut. Duke qenë se eritrocitet janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit në organizëm, mbajtja e tyre në nivele optimale është e rëndësishme për shëndetin. Ky test zakonisht bëhet si pjesë e hemogramit të plotë.
Si kryhet testi i hematokritit dhe çfarë duhet të presim?
Për testin e hematokritit nuk nevojitet përgatitje e veçantë. Pacienti mund të hajë dhe të pijë normalisht, si dhe të marrë terapinë e rregullt.
Mostra e gjakut merret zakonisht nga një venë e krahut, ndërsa te foshnjat mund të merret nga thembra. Procedura zgjat vetëm disa minuta. Më pas, mostra përpunohet në laborator për të përcaktuar përqindjen e saktë të eritrociteve.
Rezultatet zakonisht janë të gatshme brenda 24 orëve deri në disa ditë, varësisht nga laboratori, transmeton Telegrafi.

Cilat janë vlerat referente të hematokritit?
Rezultati i testit shprehet në përqindje. Vlerat orientuese sipas moshës dhe gjinisë janë:
Vlerat normale të hematokritit (%)
- Burrat: 41–50%
- Gratë: 36–44%
- Foshnjat: 32–42%
- Të porsalindurit: 45–61%
Vlerat referente mund të ndryshojnë lehtë nga një laborator në tjetrin.
Çfarë nënkuptojnë devijimet nga vlerat normale?
1. Hematokriti i lartë – eritrocitoza
Niveli i lartë i hematokritit quhet eritrocitozë. Në disa raste mund të lidhet me një sëmundje të quajtur policitemia vera. Megjithatë, shpesh rritja e hematokritit tregon se organizmi po prodhon më shumë rruaza të kuqe për shkak të nevojës së shtuar për oksigjen.
Shkaqet e mundshme përfshijnë:
- dehidratimin
- pirjen e duhanit
- qëndrimin në lartësi të mëdha mbidetare
- përdorimin e testosteronit
- apnenë obstruktive të gjumit
- sëmundjet e zemrës
- fibrozën pulmonare
- helmimin me monoksid karboni
- policiteminë vera, një sëmundje e rrallë e palcës së eshtrave.
2. Hematokriti i ulët – anemia
Hematokriti i ulët mund të tregojë se organizmi nuk ka mjaftueshëm rruaza të kuqe të shëndetshme. Një nga shkaqet më të zakonshme është anemia.
Dyshimi për anemi, e cila mund të shkaktojë simptoma si lodhje, dobësi dhe mungesë energjie, është ndër arsyet më të shpeshta për kontrollimin e hematokritit.
Shkaqet e mundshme përfshijnë:
- humbjen e gjakut, kronike ose akute
- forma të ndryshme të anemisë
- sëmundjet e veshkave ose të gjëndrës tiroide
- leukeminë
- hiponatreminë.
Gjatë shtatzënisë është normale që hematokriti të jetë disi më i ulët, sepse vëllimi i plazmës së gjakut, pra pjesës së lëngshme të tij, rritet më shumë sesa numri i eritrociteve. /Telegrafi/





































