Pa dyshim që populli i Kosovës është një nga popujt më durimtar në historinë e njerëzimit. Së paku kjo po dëshmohet prej disa dekadave. Është transformuar pa dëshirën dhe vullnetin e tij në një mjet persekutimi, në një mekanizëm që pushtetarët po dinë dhe po munden ta shfrytëzojnë shumë lehtësisht për t’i arritur objektivat e tyre.

Së fundmi me dashje apo pa dashje, populli ynë po sfidohet jo nga sllavët apo turqit, megjithëse tingëllon si hipokrizi, por nga vetë njerëzit të cilët janë zgjedhur për ta larguar nga agonia, anarkia, papunësia, thjesht për të filluar një jetë të re pas shumë vuajtjeve që ka përjetuar. Ky popull po sfidohet nga këta njerëz që është dashur të mendojnë për mirëqenien e secilit qytetar, nga këta njerëz që janë zgjedhur për të na zbardhur fytyrën edhe para ndërkombëtarëve.


Këta politikanë që në kohën kur kanë vendosur të merren me politikë është dashur të mendojnë që për këtë popull ja vlen të sakrifikohet karriera e tyre, koha, jeta dhe madje familja e tyre, sepse ky popull e meriton këtë lloj flijimi. Definitivisht ky popull nuk mund dhe nuk do të duhej të mendonte që radha e vuajtjeve të jenë pikërisht nga të zgjedhurit e tij. Por po dëshmohet që megjithatë është ndryshe, jemi duke vuajtur nga gabimet që vazhdojmë t’i bëjmë, nga durimi që ka kaluar në një sëmundje kronike për ne, dhe nga mungesa e vullnetit për të jetuar ndryshe.

Lëvizjet e fundit politike në vend dëshmuan që politikanët “tanë” kanë vetëm një dëshirë dhe një qëllim, që për karrigen e tyre të luftojnë deri në agim. Mjaftuan lëkundjet e vogla në kolltukët e tyre, qofshin ato institucionale apo partiake, për të na lënë tërësisht pas dore. Bile-bile jemi bërë pengesë për proceset nëpër të cilat po kalojnë këto struktura, duke mos u marr e problemet e tona as për një çast të vetëm, thjesht sikur këta dy milionë banorë të ishin pjellë e imagjinatës sonë e jo krijesa njerëzore që bashkëjetojnë me ta në një shtet të ri dhe “demokratik”.

Zhvillimet e fundit, përkatësisht tërheqja tinëzare dhe kontradiktore e Fatmir Sejdiut nga qeveria dëshmon më së miri papërgjegjësinë ndaj popullit, ndaj votuesve të tij, dëshmon injorancën, lakminë e tyre personale për të lëvruar milimetrin e fundit në tokën e djegur të Kosovës, dhe në këtë formë duke anashkaluar më tepër se dy milionë banorë vetëm e vetëm që ai dhe kolegët e tij t’i arrijnë qëllimet e tyre të njohura mbi kurrizin e popullit, mbi vullnetin, mbi dëshirën, skamjen dhe sakrificën e popullit të dashur Kosovarë.

Kjo katrahurë, kjo melo-dramë e krijuar duhet të vetëdijeson votuesin që në pamundësi për të ndëshkuar politikën kosovare në tërësi, apo partinë politike në tërësi të ndëshkojë dhe ta largojë nga skena politiko-institucionale çdo individ që në një ose formë tjetër na ka sjellë në këtë geto brenda getos, duke synuar që varfëria dhe zhgënjimi i popullit të Kosovës të jenë urë kaluese për ti arritur objektivat e tij.