eksperti-banner

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe kujdes më të madh nga qytetarët në menaxhimin e mbeturinave, duke theksuar problematikën e hedhjes së mbeturinave inerte në kontejnerët e dedikuar për mbeturina komunale.

Përmes një postimi në Facebook, kompania ka bërë të ditur se materiali ndërtimor po shkakton dëme të konsiderueshme në sistemin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.


“Fotografia e bashkëngjitur tregon një problem të shpeshtë: hedhjen e mbeturinave inerte (tulla, beton, dritare, dyer dhe materiale ndërtimore) në kontejnerët e dedikuar për mbeturina komunale”, thuhet në njoftim.

Sipas KRM “Uniteti”, ky lloj veprimi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove të mirëmbajtjes dhe në funksionimin e shërbimeve.

“Pesha e madhe e materialeve ndërtimore dëmton mekanizmat e kamionëve, rrit kostot e mirëmbajtjes dhe shkakton vonesa në ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, theksohet më tej.

Kompania ka apeluar që qytetarët të respektojnë rregullat për menaxhimin e mbeturinave dhe të përdorin mënyrat e përcaktuara për largimin e materialeve ndërtimore.

“Apelojmë te të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina inerte në kontejnerët e zakonshëm… Ju ftojmë të bashkëpunoni duke i larguar mbeturinat inerte përmes mënyrave të parapara”, thuhet në reagim.

Në fund, KRM “Uniteti” ka theksuar se ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët.

“Së bashku mund të mbrojmë mjedisin, të ruajmë dhe të sigurojmë një shërbim më cilësor për të gjithë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/