eksperti ad

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po mban sot mbledhjen e Kryesisë me kryetarët e degëve për të diskutuar situatën paszgjedhore.

Me këtë rast nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri ka deklaruar se LDK-ja mbetet e përkushtuar të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve.


Haziri tha se Kolegjiumi i Degëve aktualisht po trajton situatën paszgjedhore dhe se qëndrimet zyrtare të partisë do të bëhen publike pas përfundimit të takimit.

“Sot e kemi kolegjiumin e Degëve të LDK-së. Në situatë paszgjedhore është pjesë e punës ku kryetari i LDK-së dhe organet e LDK-së fillojnë me e trajtu situatën paszgjedhore. Kjo është në funksion të proceseve politike në të cilën LDK-ja ka vendosë parimisht të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve. Dhe natyrisht për krejt çështjet, pas përfundimit të takimit del dikush në emër të LDK-së që flet. Gjithçka që do të dalë nga ky takim do të njoftoheni pas takimit”, tha Haziri.

Kjo mbledhje vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe kërkesave për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryesia e LDK-së ka nisur mbledhjen në orën 15:00 me pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve, ku pritet të diskutohen zhvillimet politike pas zgjedhjeve të fundit. /Kp/