LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu: Dërgimi i Ligjit të Pagave në Kushtetuese ia hoqi maskën Qeverisë

Haxhiu: Dërgimi i Ligjit të Pagave në Kushtetuese ia hoqi maskën Qeverisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se dërgimi i Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, “ua hoqi maskën Qeverisë dhe Grupit Parlamentar të LVV-së (Lëvizjes Vetëvendosje)”.

Gjithsej 104 ankesa janë dorëzuar nga subjekte të ndryshme të sektorit publik te Avokati i Popullit, e sipas Haxhiut kjo tregon pakënaqësinë e nëpunësve publikë me Ligjin e Pagave të miratuar “nga kjo mazhorancë e pa dijshme dhe e papërgjegjshme”.


Çfarë do të ndodhë me pagat e zyrtarëve publikë pas kontestimit të ligjit?
Lexo po ashtu Çfarë do të ndodhë me pagat e zyrtarëve publikë pas kontestimit të ligjit?

“Ankesat janë kryesisht për shkak të trajtimit jo adekuat, jo të barabartë, ulje të koeficientit, zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave etj. Sipas Avokatit të Popullit procesi i miratimit të Ligjit të Pagave nuk ka qenë transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik”, ka shkruar deputeti në Facebook.

Sipas tij, ligji nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese.

“Shpresoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë i shpejtë dhe i drejtë për të eliminuar pabarazinë dhe padrejtësitë”.

Haxhiu mes tjerash ka shtuar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, deputetët e Kuvendit duhet të reflektojnë dhe të miratojnë ligje për interesa të qytetareve të vendit dhe “jo për interesa të politikës ditore për dëshirën e ‘shefit’”.

“Pushteti gaboi që injoroi amendamentet tona në Ligjin e Pagave dhe kërkesat e sindikatave sepse do të eliminoheshin me kohë padrejtësitë dhe pabarazitë”, ka përfunduar deputeti opozitar./Telegrafi/