LAJMI I FUNDIT:

Haxhi Robin Krasniqi: Jam i gatshëm për sfidat e radhës, nuk dorëzohem para asgjëje

Haxhi Robin Krasniqi: Jam i gatshëm për sfidat e radhës, nuk dorëzohem para asgjëje
Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram

Ai është krenaria e të gjithë shqiptarëve në boks. Robin Haxhi Krasniqi u shpall kampion i Evropës (EBU) në boks në kategorinë super të mesme pas një paraqitje të shkëlqyer ndaj boksierit rus, Stanyslav Kashtanov, në qershor të këtij viti.

Me prejardhje nga Juniku unik, boksieri Krasniqi thotë se mbështetja e shqiptarëve është motivim edhe më i madh për të që ai të vazhdojë punën pa u ndalur. Në këtë intervistë ekskluzive për Telegrafin, Robin zbulon shumëçka rreth më të rejave të tij nga jeta private dhe ajo profesionale. Pas një vere të mbushur me pushime, ai i është kthyer stërvitjeve për të punuar fort, kjo ngase përveç mbrojtjes së titullit aktual, ai synon që në të ardhmen të fitojë edhe titullin botëror.


Robin, muaj më parë fituat titullin kampion i ri i Evropës në kategorinë super të mesme (EBU). Na trego pak si jeni ndjerë pas këtij triumfi?

Po, ndeshja ime e fundit ishte për titull të Evropës, dhe ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për mua, kam pasur një kundërshtar të fortë, që ka qenë edhe kampion bote. Ka qenë një ndeshje shumë spektakolare, ka pasur një rëndësi të madhe për mua, dhe jam ndjerë vërtet krenar me punën time. Me qenë më i miri i Evropës nuk është pak, mund të them që kanë qenë momente të papërshkrueshme, që më kanë dhënë vullnet shumë më të madh për të vazhduar në drejtim të titullit të botës. Normal që këtë titull që e kam duhet ta mbroj edhe një a dy herë, deri sa të vijë momenti për garimin në nivelet më të larta.

Haxhi Robin Krasniqi: Jam krenar me sukseset e arritura deri tani (Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram)

Keni marrë mbështetje nga shqiptarët anë e mbanë globit. Si ndjeheni kur përkraheni aq shumë nga shqiptarët?

Përkrahja e shqiptarëve është një forcë dhe përkrahje më e madhe se e çdo shteti tjetër. Normalisht shqiptarët e kanë një zemër shumë të flaktë, ashtu sikur unë, pasi unë gjithmonë rreh me zemër e me shpirt kuq e zi. Dhe kur janë ata aty me flamurë dhe mbështetje, duke bërë një rrugë shumë të madhe për të ardhur e për të më parë, pasi vërtet vijnë nga të gjitha anët, mund të them se është një nder i madh kur shoh se sa shumë më respektojnë dhe nderojnë. Mirëpo për gjithë atë rrugë dhe shpenzime që bëjnë për të më parë, unë mundohem që t’iu jap emocione shumë të mëdha, normal t’i nderoj edhe unë me fitore, e sidomos në fund t’i përshëndes shqip. Jam shumë shumë mikpritës edhe pse boksoj 12 raunde.

Tani, cili është synimi juaj? Për çfarë jeni duke u përgatitur?

Synimi im tash për tash është të mbroj titullin e Evropës, është diçka shumë interesant, kur shoh boksierë të tjerë prej më të mirëve, sidomos këta që jon në Top 10 më të mirët e Evropës. Kur sheh që çdo njëri prej tyre kërkon të ndeshet kundër meje, sepse edhe ata e kanë ëndërr ta marrin këtë titull, dhe është shumë bukur kur je “shefi” ose poseduesi i këtij titulli, dhe i sheh këta të tjerët poshtë. Është kënaqësi me e mbrojt këtë titull, është titulli më i mirë në Evropë, është titulli më i lashtë në botë, dmth ndër titullin e botës, ky titull është i dyti më i mirë nga krejt titujt çka ekzistojnë. Për atë arsye, unë do ta mbroj me shumë me shumë dëshirë, me shumë krenari, dhe atëherë besoj se nga viti i tjetër do të më vijë një shans i mirë për titull të botës, i cili është edhe qëllimi kryesor.

Haxhi Robin Krasniqi: Synoj titullin e botës! (Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram)

Pas triumfit u kthyet në Kosovë, ku shijuat disa ditë të mira pushimi në Junik. Na trego pak si kaluat këtu?

Unë gjithmonë gjatë gjithë karrierës sime që 13 vite, pas çdo ndeshje, jam kthyer në Kosovë, kam vizituar njerëzit e mi, të afërmit e mi, vendasit e mi, Kosovën, mediat e Kosovës, dmth kam qenë gjithmonë në Kosovë, pas çdo ndeshje. Është kënaqësi kur shoh atë mbështetje të tyre, kur. shoh që presin, pasi ka shumë rëndësi kur shoh se sa presin prej meje, dhe kur e shoh se ata e duan dhe e përkrahin kaq shumë këtë sport, dhe normalisht që kam qejf që t’i vizitoj, t’iu falënderohem dhe ta ndaj gëzimin dhe me ta, aty për aty. E sidomos në Junik, pasi Juniku është vendlindja ime, vendi ku jam rritur, i kam kaluar 17 vite të jetës sime atje. Junikun e kam gjithmonë në zemër dhe sigurisht që mundohem të shkoj gjithnjë, dhe me shumë dëshirë.

Tash e sa kohë jeni në lidhje me modelen e njohur Heidi Lushtaku. Si po shkon lidhja, dhe kur presim një martesë?

Në fakt, me Haidin i kemi kaluar dy vite prej se jemi bashkë, dhe çdo gjë shkon shumë mirë. Jemi dy njerëz, dy figura publike, dhe i kemi të dy punët pak a shumë si njëjtë, duhet shumë sakrificë, por jemi njerëz që sakrifikojmë dhe e mbështesim njëri-tjetrin, mundohemi shumë që ta shtyjmë njëri-tjetrin përpara. Dhe kështu do të vazhdojë edhe pak, sepse jemi në momentet më të mira të karrierës. Martesa vjen, do të vijë më saktë, normalisht që është plan, por ta shohim…do të jetë surprizë, po normal që do të bëhet një dasmë në të ardhmen, një dasmë shumë e mirë.

Heidi Lushtaku është mbështetja më e madhe e Robinit në ndeshjet e tij (Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram)

Para ca javësh ishit edhe në Capri të Italisë. Si ishin pushimet verore dhe a mbaruan me kaq?

Pushimet, të cilat kanë përfunduar këtë verë, kanë qenë pushimet më të gjata por edhe më të mirat në jetën time. I kemi vizituar disa vende, Capri ka qenë fantastik, një ishull shumë i mirë, i cili më ka lënë përshtypje, që besoj do ta vizitoj edhe në të ardhmen. Kemi kaluar shumë mirë dhe ka qenë diçka që ia ka vlejtë për ta parë dhe për të bërë një pushim të mirë aty. Ndërsa tani u jam kthyer ushtrimeve dhe ekstremitetit, pasi diciplinën kurrë nuk e ndali, duhet të jem i kujdesshëm. Kështu që pushimet e kësaj vere normal që e para i kemi merituar, pasi 13 vite janë një punë e pandalshme, një sakrificë shumë e madhe, dhe sigurisht mund të them me plot gojë se kanë qenë pushime të merituara, dhe më të mirat ndonjëherë.

Haxhi Robin Krasniqi: Martesa me Heidin do të vijë kur të jetë koha (Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram)

Çfarë mendimi keni për sukseset e shqiptarëve në botë (futbollistë dhe këngëtarë). Sa krenar je ti për ta?

Sipas mendimit tim, Kosovës gjithnjë i ka munguar liria, fakt është që në Kosovë ka shumë talentë, ka njerëz që kanë arritur shumë. Ky është vetëm fillimi, e kanë parë të gjithë se për një kohë shumë të shkurtër kur na është dhënë liria, në të gjitha kategoritë, si në sport, muzikë dhe kudo tjetër, kemi shqiptarë që vërtet na bëjnë të ndjehemi shumë krenarë. Unë për vete jam shumë krenar me sukseset e sportistëve shqiptarë që kanë kontribuuar për njohjen tonë, që janë pjesë e arenave ndërkombëtare, gjithashtu jam krenar me shqiptaret e suksesshme në muzikë, të cilat i njeh bota dhe vijnë prej një vendi shumë të vogël. Por në të ardhmen besoj se kanë me ardhë edhe shumë talentë tjerë, sepse do iu jepet një mundësi më e mirë. Ndaj shpresoj që secili të arrijë.

Si ka lindur dashuria për boksin, dhe sa orë në ditë ushtron?

Dashuria për boksin ka lindur që nga fëmijëria. Unë gjithmonë kam pasur një shpirt luftarak, dhe i kam dashur shumë sportet luftarake. Kam filluar me karate, por e kam parë se nuk është disiplinë tipike e imja, sepse aty në karate kanë qenë disa ligje, të cilat nuk na kanë lejuar përshembull të sulmojnë 100 për qind, si në fytyrë apo në trup, ka pas shumë limite të cilat nuk na u janë lejuar t’i tejkalojmë. Ndërsa boksi ka qenë një sport tipik i burrave, dhe si sport është shumë interesant, kur në mbrëmje vijnë me mijëra njerëz, e sidomos në media të shkikojnë me miliona, dhe e bart gjithë atë përgjegjësi vet. Është diçka vërtet e veçantë. Ushtrimet janë të përditshme, sidomos tash janë pesë deri shtatë orë në ditë (vetëm ushtrime), pastaj janë fizioterapitë, të cilat duhet t’i ndjekim për t’iu shmangur lëndimeve. Gjatë gjithë ditës përdori edhe ushqim të rregullt vetëm për sport, bëj shumë përkujdesje, pas trajnimit, duhet pushuar tamam në orarin e caktuar. Sidomos tani që është faza kryesore jam tërë ditën i përkushtuar vetëm në sportin tim. Nuk guxoj të bëj ndonjë gabim, nuk guxoj të kem ndonjë lëndim, edhe pse ushtrimet janë shumë të rënda, e për ata mund të ndodhin edhe lëndimet, por prandaj është me rëndësi edhe që të ndjeken me rregull fizioterapitë.

Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram

Gjëja që të pëlqen më së shumti në profesionin që ke zgjedhur?

Më pëlqen komplet sporti im, dmth më pëlqen boksi në përgjithësi, është një sport shumë i rëndë, por shumë i veçantë. Unë për vete them gjithmonë që është diçka që për krejt jetën të përgatit, pasi në këtë sport njeri përjeton shumë moment, të tilla si momenti kur je shumë i mërzitur dhe mendon se ka ardhur fundi. Por në fakt, kur ke një shpirt luftarak, kurrë nuk ka një ndalesë, ose kurrë nuk dorëzohesh, për atë arsye edhe nëse nuk vazhdoj me sport, është diçka që më ka mësuar dhe përgatitur për tërë jetën, për çdo situatë, pa marrë parasysh, i mirë, i keq, i lehtë, jo i lehtë, është diçka tamam çka më përshtatet në karakterin tim.

Thënia juaj e jetës?

Thënia e jetës…normal që jeta është e gjatë dhe na duhen shumë thënie, por unë pi përmend dy ose tri. Kisha pas dëshirë të them se “Suksesi, pa marrë parasysh në sport, biznes apo kudo tjetër, nuk arrihet sot për nesër, njeri duhet të besojë në vetëvete, të punojë dhe t’i thotë vetes: Asnjëherë nuk është mjaft”, pastaj “Njeriu asnjëherë nuk duhet të dorëzohet, të jetë njeri i drejtë, duhet punuar shumë dhe kurrë nuk është mjaft”, dhe “Koha është me të vërtetë diçka nga ari, nuk guxojmë ta flejm, dmth gjithmonë duhet të besosh në vetëvete dhe në qëllimet tua, njeriu herë do kurdo kur e ka një qëllim dhe punon në atë drejtim, i arrin sukseset e tij.

Haxhi Robin Krasniqi: “Asnjëherë mos u dorëzoni” (Foto: Haxhi Robin Krasniqi/Instagram)

Haxhi, faleminderit shumë për intervistë. Cili do të ishte një mesazh i yti motivues për lexuesit në fund?

Faleminderit edhe juve për intervistën, mesazhi im për lexuesit, në veçanti për ata që merren më shumë me sport është motivues. Ata të cilët e kanë vënë re se kanë talent, i kam dëgjuar shpesh të thonë “Shteti ose vendi nuk ua jep mundësinë” – është e vërtetë kjo dhe më vjen keq, por njeriu duhet ta kërkojë mundësinë, pasi ajo nuk vjen sot për nesër. Ata të paktën duhet të punojnë me veten, kudo që të jenë, pasi ka vende ku mund të punojnë, të jenë të përgatitur, dhe kur janë të përgatitur atëherë normal që duhet ndërmarrin rrezikun, duhet të ndërmarrin shumë rrugë. Duhet të trokasin nëpër shumë dyer për ta kërkuar atë mundësi vet, pasi askush nuk do të vijë të të trokasë ty dhe të thotë: “Hajde se ta japim mundësinë”. Kështu që punoni shumë, ka shumë talentë dhe besoj në ta, ndaj le të punojnë le të vazhdojnë, e mos të ndalen asnjëherë! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Salah dhe Klopp përfshihen në një përplasje të furishme verbale – egjiptiani duhej të qetësohej nga Nunez

Salah dhe Klopp përfshihen në një përplasje të furishme verbale – egjiptiani duhej të qetësohej nga Nunez

Premier League
Salah pyetet për përleshjen me Kloppin – jep një përgjigje të shkurtër, por të ashpër

Salah pyetet për përleshjen me Kloppin – jep një përgjigje të shkurtër, por të ashpër

Premier League
Jurgen Klopp thyen heshtjen me një përgjigje të qartë lidhur me debatin e ashpër me Salahun

Jurgen Klopp thyen heshtjen me një përgjigje të qartë lidhur me debatin e ashpër me Salahun

Premier League
Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Magazina
Pamje që tregojnë momentin kur ukrainasit 'fshijnë nga faqja e dheut' pjesë të sistemit rus që kushton 5 milionë dollarë

Pamje që tregojnë momentin kur ukrainasit 'fshijnë nga faqja e dheut' pjesë të sistemit rus që kushton 5 milionë dollarë

Botë
Parlamentari finlandez, Kiljunen: Për keqardhje mosmbështetja e Serbisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Parlamentari finlandez, Kiljunen: Për keqardhje mosmbështetja e Serbisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Lajme
Kalo në kategori