LAJMI I FUNDIT:

Hashani: Bizneset dikur sfidoheshin nga barrierat institucionale, tash me mungesën e fuqisë punëtore

Hashani: Bizneset dikur sfidoheshin nga barrierat institucionale, tash me mungesën e fuqisë punëtore

Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani, gjatë fjalës së tij në “Kosova Business Forum”, ka folur në lidhje me sfidat e bizneseve.

Sipas tij, në dekadën e fundit Kosova ka bërë progres në përmirësimin e mjedisit biznesor, megjithatë ka një ndryshim të renditjes së barrierave të bizneseve.


“Ka përmirësime të jashtëzakonshme, megjithatë vërejmë se ka një ndryshim të renditjes së barrierave që bizneset kanë hasur viteve të fundit. Ne si institut kemi vërejtur që para një dekade problemet kryesore janë lidhur me infrastrukturë dhe me ato që ne i kemi quajtur barriera institucionale, ndërsa barrierat që lidhen me fuqinë punëtore dhe barrierat e brendshme të kompanive kanë qenë në fund të listës”.

“Tash kemi përmbysje të kësaj liste. Ka pasur investime në infrastrukturë dhe barrierat e kësaj natyre janë zvogëluar. Te barrierat institucionale ka një zbutje te disa prej indikatorëve. Është inkurajuese me u dëgju reformat që po ndërmirren për zvogëlimin e barrës administrative, e cila vazhdimisht ka qenë problem për bizneset”, është shprehur Hashani.

Ai tutje ka deklaruar se sipas rezultateve të analizave që ka bërë Instituti Riinvest, mospërputhja në mes të kërkesës dhe ofertës për punë nuk buron prej parabarazisë në paga.

“Por, vjen prej mospërbushjes së pritjeve për kushtet e punës. Këtu inspektorati luan një rol të rëndësishëm për t’i përfaruar këto dy pjesë të medaljes”, ka thënë Hashani. /Telegrafi/