Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se aktgjykimi i sotëm i Kushtetueses është i qartë, koherent me vendimin e 26 qershorit dhe hap rrugën për konstituimin e institucioneve të reja.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani tha se pas një arsyetimi kaq bindës dhe të argumentuar, Gjykata është dashur t’ia marrë të drejtën deputetit Avni Dehari për të drejtuar seancën konstituive.


“Megjithatë, tani që përgjegjësia e tij është bërë e qartë, mendoj se z. Dehari duhet të reflektojë dhe të tërhiqet vetë, si shenjë e përgjegjësisë për bllokadën dhe anarkinë e krijuar në Kuvend”, theksoi ai.

Hasani e konsideroi vendimin e sotëm si vijimësi të aktgjykimit të parë, duke nënvizuar disa risi: ruajtjen e definicionit të grupit më të madh parlamentar sipas nenit 67.1 të Kushtetutës, theksimin se shkeljet kushtetuese mund të kryhen edhe nga akterë të tjerë përveç presidentit, si dhe detyrimin për lojalitet institucional dhe marrëveshje politike si kushte thelbësore për krijimin e institucioneve.

Sa i përket afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, Hasani sqaroi se mosrespektimi i tij sjell vazhdimin e gjendjes jokushtetuese dhe e bën të domosdoshme ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse e drejta e propozimit kalon te deputetët e tjerë

“E drejta për propozimin e kandidatit nuk mund të nënkuptojë të drejtën për bllokim”, tha ai.

Sipas Hasanit, me këtë aktgjykim Gjykata ka rrumbullakuar qartë parametrat kushtetues, duke lënë pa dilema përgjegjësinë individuale dhe partiake për konstituimin e Kuvendit.

“Moszbatimi ose obstruksioni në zbatim tani do të jetë edhe më i qartë për të gjithë”, u shpreh ai.

Kosova ndodhet në krizë politike që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij.

Kandidatura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori 61 votat e nevojshme, duke bllokuar procesin e konstituimit.