LAJMI I FUNDIT:

Harry Bajraktari në ceremoninë e varrimit të nënës: Krenarë që patëm një nënë kaq bujare, na mbolli atdhedashurinë

Harry Bajraktari në ceremoninë e varrimit të nënës: Krenarë që patëm një nënë kaq bujare, na mbolli atdhedashurinë

Qindra shqiptarë, anëtarë të familjes Bajraktari dhe Gecaj, miq, dashamirë, klerikë, veprimtarë, personalitete dhe njerëz të komunitetit të ardhur gjithandej nga vendet e ndryshme të SHBA-së, të shtunën më 3 dhjetor, me një ceremoni, që rrallë mund të shihet, i është dhënë lamtumira e fundit një nëne, një fisnikeje, Ziza Gecaj Bajraktari, e cila u nda nga jeta në moshën 83 vjeçare.

E ndjera Ziza Gecaj Bajraktari u varros në varrezat familjare “Washington Memorial Park” në Long Island, New York, aty ku pushon edhe bashkëshorti i saj, Metë Bajraktari.


Ajo u nda nga kjo jetë duke i lënë të përlotur djemtë: Harryn, Miftarin, vajzat Nurijen, Litafetin dhe Hatemen si dhe të vëllanë Rrustem Gecaj, motrën Ajmanen, nipërit, mbesat dhe njerëzit e saj të farefisit.

“Ne jemi krenarë që patëm një nënë kaq të dashur dhe bujare, e cila na rriti, edukoi dhe tek ne mbolli dashuri të pakufishme për familjen, njeriun dhe atdheun. Të gjitha këto që ajo bëri ndaj nesh do t’ i jemi mirënjohës për jetë e mot”, tha djali i saj në hapjen e ceremonisë mortore, veprimtari dhe biznesmeni i njohur Harry Bajraktari.

Prej se u mor lajmi i hidhur në komunitetin shqiptaro-amerikan, i pafund ishte rreshti i bashkatdhetarëve që erdhën për t’i dhënë respekt, dhe ngushëlluar dy familjet, Bajraktari dhe Gecaj, raporton Bota Sot.

Në funeral për të ngushëlluar familjet Bajraktari dhe Gecaj kishin ardhur edhe kongresmeni Eliot Engel, kryebashkiaku i qytetit Yonkers, Mike Spano, Asamblisti i New York-ut, Mark Gjonaj, Konsullja e Kosovës në New York, ambasadorja Teuta Sahatçija, Sheriff Donald B. Smith, sherif në Putnam County, New York.

Dhjetëra e qindra telegrame, mesazhe dhe email u drejtuan në familjet e Harry Bajraktarit dhe Rrustem Gecaj; presidenti i Shqipërisë, presidenti i Kosovës, ish-kryeministra të Kosovës dhe Shqipërisë, figura të shquara, veprimtarë, senatorë dhe kongresmenë amerikanë, qytetarë nga Amerika, Kanadaja, Kosova dhe Shqipëria.

Ceremonia lamtumirëse ishte nisur me një përshkrim të jetës së kësaj nënë fisnike, nga miku i familjes Bajraktari dhe familjes Gecaj, Rasim Hasanaj.

Fjalimin lamtumirës e mbajti djali i saj, Harry Bajraktari, i cili foli në emër të vëllait dhe motrave, nipërve e mbesave. Djali i Rustem Gecaj, Avni Gecaj, foli në emër të familjes Gecaj.

Kjo ceremoni vazhdoi me kujtime të përmallshme nga e mbesat, Mirlinda Bajraktari, Bukurije Osmani- Maxhuni, Diana Bajraktari dhe Merita Nezaj. Një fjalim prekës erdhi nga miku i madh i shqiptarëve, kongresmeni Eliot Engel i cili ishte i pranishëm me gjithë familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

11

Imam Llukman Geci, gjatë faljes së xhenazes të së ndjerës Ziza Gecaj Bajraktari, 3 Dhjetor 2016.

Pas lutjeve fetare dhe predikimit nga Imamët Elez Osmani, Edin Gjoni, dhe falja e xhenazes nga Llukman Geci, iu dha lamtumira e fundit me shumë respekt e dhimbje nënës dhe motrës fisnike Ziza Gecaj Bajraktarit.

Pas varrimit, familja Bajraktari dhe familja Gecaj për shpirtin e saj shtruan një drekë për të gjithë ata që morën pjesë në varrim.

Me lutjen “Dashtë Zoti, që çdo njërit tua kthejmë vetëm ne gëzime e të mira!”, përmbylli ceremoninë e varrimit të nënës së tij, Harry Bajraktari.

3

  Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, me anëtarët e tjerë të familjeve, 3 Dhjetor, 2016.

Fjalimi i Rasim Hasanaj-ish kryetar i kulteve të Republikës së Shqipërisë

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj ceremonie mortore,

-Të nderuar dashamirë të familjes Bajraktari dhe familjes Geci,

– Të nderuar bashkatdhetarë, miq dhe të gjithë ju që sot jeni të pranishëm në përcjelljen e fundit të nënës dhe motrës sonë, Ziza Gecaj Bajraktari.

Sot po ndahemi nga Ziza, një grua fisnike, humane e punëtore, e cila gjatë tërë jetës iu përkushtua me dinjitet familjes dhe atdheut, Kosovës së saj të dashur.

Ziza e jetoi jetën e saj në mënyrën më dinjitoze, duke i nxitur dhe fëmijët e saj të bënin të njëjtën gjë. Ajo me cilësitë e saj që pak kush i zotëronte është një shembull që të frymëzon për të bërë vetëm gjëra të mira, një grua e përkushtuar ndaj familjes së saj dhe kushdo do të dëshironte ta kishte si model për ta imituar.

Ziza ishte e gatshme të ndihmonte këdo që njihte, duke filluar nga familja e saj, të afërmit, miqtë dhe komunitetin. Zemra e saj ishte e hapur për të gjithë, ashtu si dhe shtëpia e saj ishte gjithmonë e hapur dhe e mbushur plot me miq. Ajo ishte një grua bujare, një grua që dinte të vinte të tjerët para  vetes, e papërkulur edhe në momente të vështira, pasi familja për të ishte gjithçka.

Ziza Gecaj Bajraktari u lind në Llukë të Ulët të komunës së Deçanit, nga prindërit Arif dhe Time Gecaj. Babai i saj Arif Ademi-Gecaj dhe shtëpia e tij ishin të njohur në Dukagjin dhe më gjerë për aktivitetin atdhetar. Kjo traditë e kësaj shtëpie ka vazhduar  edhe me pjesëtarët e kësaj familje, vëllanë e Zizës, Rrustem Gecaj, i cili është i njohur për kontribute të veçanta për çështjen kombëtare e në veçanti për lirinë e Kosovës. Është vlerësuar nga shteti shqiptar dhe i Kosovës.

Në vitin 1955, Ziza martohet në Vranoc të Lugut të Baranit me Metë Bajraktarin, që i përkiste një familjeje të madhe e të njohur, si pjesëmarrëse në të gjitha proceset historike nga Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kuvendi i Junikut si dhe kundër pushtimit osman dhe pushtuesve serbë e malazezë.

Familja Bajraktari, djali i saj Harry, kanë pjesën e tyre të kontributit dhe siç thotë me modesti kongresmeni Engel, Kosova na lidhi me Harry Bajraktarin, me të cilin vazhdojmë të punojmë çdo ditë për integrimin dhe ardhmërinë e Kosovës, Shqipërisë e trojeve të tjera shqiptare.

Metë e Zizë Bajraktari lindën pesë fëmijë: Harrin, Nurijen, Litafetin, Hatemen dhe Miftarin. Këta si prindër me vlera të veçanta rritën dhe edukuan fëmijët me gjithë traditat e mira të një familjeje shqiptare;  atdhedashurinë, bujarinë, mikpritjen dhe mirënjohjen ndaj të tjerëve.

Ziza pasi u martua, si pjesë e familjes së madhe të Bajraktarëve, u përball me krizën ekonomike. Kjo familje u izolua plotësisht nga regjimi komunist i Serbisë dhe i Jugosllavisë së atëhershme.

Ziza për ta mbështetur burrin e saj Metën për mbajtjen e familjes, punonte ditë e natë punë dore artizanale:  pëlhura për veshje, qilima, sixhade e tjera, të cilat Meta i shiste në tregun e Pejës. Kështu ata mbijetuan krizën ekonomike deri në vitin 1969, kur Meta me Zizën dhe fëmijët e tyre emigruan nga Kosova, në Itali dhe me vone në SHBA.

Meta dhe Ziza kanë qenë gjithmonë mirënjohës ndaj familjeve të Ali Mukit- Balidemaj dhe Ahmet Celajt nga rajoni i Plave Gucise të cilët priten familjen e tyre si imigrant me bujarinë e zonës.

Ne vitin 1970, Meta me Zizën dhe fëmijët emigrojnë në Amerikë. Këta u pritën nga pasardhësit e familjes së madhe të Binak Alisë: Can e Musli Mulosmanaj dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familje. Familja e Metës ka qenë gjithmonë mirënjohëse ndaj kësaj familje për mbështetjen fillestare në këtë vend të bekuar.

Ziza simbolizon gruan fisnike dhe të fortë shqiptare. Ajo pas ardhjes ne Amerike menjëherë fillon punë në pastrime në ndërtesën Merine Middle Bank në Wall Street.

Në këtë vend Ziza punoi plotë 16 vjet, duke mbajtur një peshë të madhe ne familje, e cila kur shkonte ne pune me tren orientohej me shenja për të gjetur vendin e punës.

Është shumë domethënës fakti se puna e kësaj nëne shqiptare bëhet motiv frymëzues për mbështetjen e biznesit të djalit të saj Harry Bajraktarit dhe të vëllait Rrustem Gecajt, të cilët sot kanë krijuar biznese të fuqishme në SHBA dhe në Kosovë.

Metë dhe Zizë Bajraktari në shtëpinë e tyre kanë pritur me bujarinë e tyre shumë njerëz e bashkatdhetarë dhe personalitete të veçanta nga Shqipëria, Kosova e treva te tjera shqiptare.

Presidenti Rugova, Anton Çetta, Mark Krasniqi e tjerë kanë vlerësuar mikpritjen dhe gatimet tradicionale shqiptare nga duart e Zizës.

Zizë Bajraktari pati fatin të shoh suksesin e familjes së saj. Kjo familje u bë mbështetësja dhe kontribuuesja e madhe për lirinë e Kosovës, ëndërr e saj dhe e bashkëshortit Metë Bajraktarit.

Ziza i kërkoi djalit të saj, Harry Bajraktarit t’ i vizitojë vendet e që kontribuuan për lirinë e Kosovës: Jasharajt në Prekaz, Haradinajt në Gllogjan dhe te madhin presidentin Rugova në Prishtinë, e vendet tjera, duke plotësuar një dëshirë të madhe të burrit të saj, Metë Bajraktarit që nuk e pati këtë fat të shohë Kosovën e lirë.

Ne, kemi ardhur sot t’i japim lamtumirën e fundit, por edhe ta falënderojmë, për gjithçka që i dha familjes së saj, duke i edukuar fëmijët me dashuri për të afërmit dhe për Kosovën, kemi ardhur të nderojmë Zizë Gecaj Bajraktarin, një nënë shqiptare që diti të ruajë dhe promovojë vlerat e vërteta e traditës të gruas shqiptare që do të jetë frymëzim jo vetëm për fëmijët dhe të afërmit e saj, por edhe një shembull i mirë për të ardhmen.

Të dashur pjesëmarrës, nderimi qe ju po i bëni nënës dhe motrës Zizë si dhe mesazhet e ardhura familjes nga personalitetet më të larta nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera, flasin më së miri për vlerat e saj qe ju familjarët e saj, fëmijët, nipat, mbesat, dhe ne të gjithëve na bëjnë krenarë.

Zoti i bekoftë për vlerat e saj,

I përjetshëm qoftë kujtimi.

Në trend Lajme

Më shumë
Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Lajme
Dëshmitari thotë se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri e kishte goditur me armë në fytyrë

Dëshmitari thotë se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri e kishte goditur me armë në fytyrë

Drejtësi
Mbyti dhe dogji prostitutën shqiptare në një pyll të Francës, prokuroria kërkon 20 vite burg për autorin

Mbyti dhe dogji prostitutën shqiptare në një pyll të Francës, prokuroria kërkon 20 vite burg për autorin

Lajme
AGK reagon ndaj shpërndarjes së numrit të gazetares nga grupi “Albkings”

AGK reagon ndaj shpërndarjes së numrit të gazetares nga grupi “Albkings”

Lajme
Zyrtare: Kosova aktualisht nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Zyrtare: Kosova aktualisht nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Lajme
Në Shqipëri zyrtari policor e shantazhon qytetaren: Mi jep 3 mijë euro ose t'i publikoj fotot zhveshur

Në Shqipëri zyrtari policor e shantazhon qytetaren: Mi jep 3 mijë euro ose t'i publikoj fotot zhveshur

Lajme
Kalo në kategori