Hargreaves: Britania po e ndihmon KQZ-në në sigurinë kibernetike

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet komunale që do të mbahen këtë të diel.
Në një deklaratë pas takimit, ambasadori Hargreaves tha se ka falënderuar Radoniqin dhe ekipin e tij për angazhimin e tyre në organizimin e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe efikas.
“E falënderova atë dhe ekipin e tij për përpjekjet që po bëjnë për t’i bërë këto zgjedhje gjithëpërfshirëse, transparente dhe efikase, dhe theksova rëndësinë që mediat legjitime të kenë mundësinë të vëzhgojnë procesin zgjedhor në përputhje me ligjet e Kosovës”, tha Hargreaves.
Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar është e kënaqur që po ofron mbështetje për KQZ-në përmes një projekti kibernetik të financuar nga qeveria britanike, që synon forcimin e sigurisë dhe integritetit të zgjedhjeve.



















































