Haradinaj: Ushtrinë mund ta formojmë në çdo kohë, por çështjet duhet kalkuluar mirë


Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj gjatë debatit "Folur Hapur" ka folur edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe çështjet e fundit të akuzave ndaj ministrave të Qeverisë aktuale.
Haradinaj ka thënë se Forca e Armatosur e Kosovës mund të formohen në çdo kohë, mirëpo sipas tij paraprakisht gjërat duhet të kalkulohen mirë.
“Kjo mund të ndodhë në çdo kohë, edhe javën tjetër nëse është nevoja. Por, duhet kalkuluar gjërat mirë, p.sh. sa organizmat ndërkombëtarë për të cilat ne kemi nevojë janë të kënaqura me formimin e këtyre forcave”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se duhet të ketë shumë kujdes në këtë drejtim.
Haradinaj ka folur edhe rreth aktakuzës për rastin ‘Pronto’, ku njëri ndër të përfolurit është edhe ministri Besim Beqaj, raporton Telegrafi.
Haradinaj u shpreh se është e vështirë të kërkohet nga ai që të ndërmarr veprime, duke u bazuar vetëm nga lajmet e ndryshme nëpër media.
“Gjërat nuk bëhen kështu, sepse nëse ishim bazuar vetëm në audio incizime, atëherë personi nuk ishte dashur të emërohej fare ministër”, tha ai.
Haradinaj ka folur sërish edhe për arrestimin dhe deportimin.
Ai tha se nuk ka qenë në dijeni dhe se rasti i ishte ardhur 'si prej qielli'.
Haradinaj tha se në fillim nuk e kishte marrë me seriozitet meqë deportime të tilla ndodhin, por kur ia kanë shpjeguar atëherë ka vlerësuar se është bërë 'kiamet'.
Ai tha se shefi i AKI-së dhe ministri i MPB-së e kanë pasur obligim t’i tregojnë dhe meqë këtë nuk e kanë bërë ata kanë shkuar në shtëpi.
Haradinaj tha se nuk duhet parë këtë incident si jo profesionalizëm të AKI-së sepse kjo organizatë është shumë profesionale dhe ka bërë punë të mira.
Kryeministri tha se në Turqi nuk shkon për t’u përzier në punët e tyre, por brenda kufijve të Kosovës do të veproj sipas ligjit e Kushtetutës të Kosovës. /Telegrafi/









































