Haradinaj prezanton Dardan Krasniqin si anëtarin më të ri të ekipit të AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se ekspert i sigurisë dhe juristi Dardan Krasniqi i është bashkuar ekipit të tij politik.
Haradinaj e ka pritur Krasniqin në takim, duke theksuar përvojën e tij të gjatë në fushën e sigurisë dhe angazhimin e tij në çështjet kombëtare.
Sipas Haradinajt, Dardan Krasniqi ka një të kaluar të pasur si pjesëtar i tri luftërave çlirimtare: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ai është vlerësuar për guximin dhe aftësinë e tij organizative gjatë periudhës së luftës.
Krasniqi, i cili ka mbi 25 vjet përvojë në politikë dhe siguri, ka qenë polici dhe drejtuesi i parë i Policisë së Kosovës në Malishevë.
Ai vjen nga një familje me traditë patriotike; nëna e tij ishte mësuese, ndërsa babai kolonel i TMK-së dhe një nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së.
Haradinaj tha se gjatë gjithë angazhimit të tij – fillimisht si çlirimtar, më pas në polici dhe së voni si aktivist dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes – Krasniqi ka ndjekur dy synime të pandryshuara: çështjen kombëtare dhe politikën e sigurisë si bazë për forcimin e shtetit dhe shoqërisë.
Sipas kryetarit të AAK-së, bashkimi i tij me Aleancën është një sinjal motivues për shumë ekspertë, patriotë dhe qytetarë, të cilët, siç thotë ai, "po e gjejnë rrugën drejt AAK-së si rruga e Kosovës për të ecur përpara".

































