LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj ka një lajm të mirë për prodhuesit vendorë

Haradinaj ka një lajm të mirë për prodhuesit vendorë

Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe propozim vendimin për lirim nga tatimi i akcizës të gjithë prodhuesit që importojnë vetë, apo përmes kontraktuesit, të cilët janë autorizuar nga ATK ja për shtyrje të TVSh-së për lëndën e parë, për të gjitha burimet e energjisë, të cilat përdoren për qëllime prodhimi.

Qeveria po ashtu ka miratuar propozim vendimi për lirim nga tatimi doganor, të gjithë prodhuesit që importojnë vetë, apo përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga ATK për shtyrje të TVSh sa për lëndën e parë që përdoret në proces të prodhimit, gjysmë produktet, të cilat përdoren në proces të prodhimit, të gjitha linjat e makinerive prodhuese, të cilat përdoren në hapësira prodhuese, për prodhim dhe pajisjet e teknologjisë informative.

Kryeministri Haradinaj i quajti këto vendime të guximshme dhe lajm i mirë për Kosovën dhe ekonominë e saj.

“Sot do të ndalem te dy vendime të rëndësishme  të Qeverisë së Kosovës. Që të dyja që ndërlidhen me prodhuesit e Kosovës. Njëri vendim e liron prodhuesin nga akciza për lëndën e parë,  që e përdor si burim energjie për prodhim. Dhe tjetri vendim, e liron prodhuesin edhe nga tatimi në doganë, për lëndën e parë, materialet përpunuese gjysmë produktet për makinerinë dhe për të gjitha këto linja deri tek IT që përdoret në prodhim. Ky është një veprim i guximshëm, veprim të cilin mund ta quaj lajm të mirë për Kosovën, për ekonominë për prodhuesin “, tha Haradinaj.

Ministri Hamza  tha se nuk do të ndalen me kaq dhe se në të ardhmen do t’i adresojnë sfidat e biznesit dhe të krijojnë kushte korrekte për ta.

Ai shtoi se qeveria ka vë në fokus përkrahjen e sektorit privat, sidomos sektorit prodhues dhe atyre të shërbimeve, me qëllim të eksportit dhe me qëllim që të krijohet një ambient i përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

“Sot kemi marrë vendime të cilat do të kenë efekt direkt, siç janë lirimi nga tatimi i akcizës te lëndëve apo burimeve energjetike që përdoren për prodhim. Pastaj, ndryshimi i pagimit të akcizës, ku nuk ka nevojë që të kryhet të paguhen paratë para se me ndodh ngjarja. Dhe thjeshtësimi, apo mundësia e importit edhe direkt nga ana e prodhuesve, dhe jo si deri me tani që ka qenë vetëm përmes ndërmjetësuesve. Gjithmonë po flasim për listën e ndërmarrjeve të autorizuara nga organet kompetente. Sa i përket tatimit të doganës, ne në vazhdën e asaj që ka qenë e liruar apo TVSh e bartur, ne tani po ecim një hap mbi këtë që është lirimi nga tatimi i doganës për të gjitha lëndët e para, për të gjitha gjysmë produktet për ndërmarrjet prodhuese për IT. Krejt këto në favor të përkrahjes së zhvillimit ekonomik, ndërmarrjeve dhe biznesit privat në Kosovë dhe investimeve të huaja direkte”, tha Hamza./Telegrafi/