LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Jemi në opozitë, nuk kërkojmë rol në qeverinë e ardhshme

Haradinaj: Jemi në opozitë, nuk kërkojmë rol në qeverinë e ardhshme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj mohon përfshirjen e partisë së tij në një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen. Thotë se për këtë punë nuk janë në komunikim me LVV-në e as me LDK-në.

Lideri i AAK-së dhe njëherësh kryeministër në detyrë, Ramush Haradinaj po mohon çfarëdo përfshirje të partisë së tij në koalicionin e ardhshëm qeveritar me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje.


Sipas tij ai nuk kanë asnjë komunikim me LVV-në e as me LDK-në sa i përket formimit të institucioneve të reja.

“Ne nuk kemi komunikim as me Vetëvendosjen as me LDK-në sa i përket krijimit të institucioneve të reja. Nëse kërkojnë ndonjë konsultë jemi të hapur. Por ne jemi opozitë. Ne nuk kërkojmë ndonjë rol në qeverinë e ardhshme. Ne nuk kemi kauzë. Nuk e dimë pse mund të jemi në një qeveri që krijohet nga këto dy parti”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ramush Haradinaj.

Mos-arritja e koalicionit qeverisës mes dy partive që dolën të parat nga zgjedhjet e 6 tetorit, mund ta shtyj vendin drejt një krize politike. Kjo, për Haradinajn nuk guxon të ndodhë, përcjell Telegrafi.

“Nuk është mirë kjo situatë të shkojë gjatë. Ju e dini që një qeveri në detyrë i ka kufizimet e veta. Ne vazhdojmë t’i kryejmë funksionet e kujdestarisë dhe të mos lejojmë vakum dhe kaos institucional të çfarëdo natyre, por duhet të krijohen institucionet e reja”, deklaroi më tej Ramush Haradinaj.

Haradinaj që erdhi me premtimin se liberalizimi i vizave do bëhet për 90 ditë, po vazhdon të besoj se kjo do të ndodhë brenda këtij viti.

“Ende po shpresojmë në marrjen e këtij vendimi. Duhet ta mbajmë presionin të BE në vazhdimësi, Këshilli i Evropës mblidhet tash në dhjetor. Shpresojmë se do të jemi në rend të ditës. E meritojmë. I kemi mbaruar të gjitha detyrat e mundshme. Shpresojmë se do të vendosin”, deklaroi më tej Ramush Haradinaj./RTV Dukagjini/Telegrafi/