LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Investimet e huaja të rëndësishme për ekonominë

Haradinaj: Investimet e huaja të rëndësishme për ekonominë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ahmet Çalik, drejtor ekzekutiv dhe themelues i grupit Çalik Holding, Nihat Ozdemir, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Limak, Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” si dhe përfaqësuesit e KEDS-it, në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj, i njoftoi përfaqësuesit e këtyre kompanive për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për hapjen e mundësive për investitorë potencialë, përmes lehtësirave tatimore dhe krijimit të klimës për investimet e huaja direkte.

Ai ka vlerësuar punën dhe të arriturat e tyre, duke mirëpritur edhe investitorë të tjerë që do ndikonin në rritjen ekonomike si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Pasi e përgëzuan kryeministrin Haradinaj për marrjen e detyrës së të parit të Qeverisë dhe për ndërtimin e institucioneve të reja të vendit, përfaqësuesit e këtyre kompanive e njoftuan kryeministrin për projektet e tyre në të ardhmen.

Nihat Ozdemir dhe Ahmet Calik, vlerësuan rolin dhe gatishmërinë e kryeministrit Haradinaj, në fuqizimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me fokus të veçantë për investimet në Kosovë. Ata i premtuan kryeministrit se do të zgjerojnë edhe më tutje zhvillimin e biznesit, duke sjellë edhe investitorë tjerë turq dhe ndërkombëtar.

Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, e njoftoi kryeministrin Haradinaj për planet për zgjatjen e pistës së aeroportit dhe për zgjerimin e infrastrukturës, duke thënë se duan të jenë më të mirët në rajon.

Edhe përfaqësuesit e KEDS-it i premtuan angazhim maksimal në përmbushjen e misionit të tyre, furnizim më të mirë të vendit me energji elektrike. /Telegrafi/