Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të ministrit të jashtëm serb, Marko Gjuriq i cili reagoi rreth dronëve “Skydagger 15” që Kosova bleu nga Turqia.

Gjuriq në një postim në X e ka cilësuar këtë veprim të autoriteteve turke si “hedhje e benzinit në zjarr”. Ai madje tha se kjo përbënë një hap prapa në përpjekjet për normalizim të raporteve.


Lidhur me këtë ish-ministra e jashtme, Meliza Haradinaj ka thënë se Serbia vazhdon të jetojë nën hijen e Millosheviqit, derisa klorifikon pa turp një kriminel lufte të dënuar si Nebojsha Pavkoviq

“Kur Serbia lavdëron pa turp një kriminel lufte si Pavkoviq, kjo vetëm konfirmon se ajo mbetet në të kaluarën, e sunduar nga mbetjet e Millosheviqit,” shkroi ajo.

Reagimi i Haradinajt vjen vetëm një ditë pasi Kosova pranoi zyrtarisht dronët e avancuar ushtarakë “SkyDagger 15”, të cilët pritet të forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ajo theksoi se këto pajisje nuk paraqesin kërcënim për paqen, por përkundrazi janë një mjet mbrojtjeje legjitime përballë kërcënimeve të rritura në kufi, të nxitura sipas saj nga Rusia, Irani dhe Kina përmes ndikimit serb.

“Dronët nuk kërcënojnë paqen, por revisionizmi juaj po,” përfundoi Haradinaj, duke i bërë të qartë Gjuriqit që rreziku për stabilitetin rajonal nuk vjen nga modernizimi i ushtrisë së Kosovës, por nga përpjekjet për të mohuar ose relativizuar krimet e kryera gjatë luftës. /Telegrafi/