Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka përsëritur se nuk e heq taksën pa njohje të Serbisë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se ende nuk ka një përgjigje për Ambasadën Amerikane, e cila dje përmes një komunikate kërkoi heqjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

I pyetur për reagimin e djeshëm të amerikanëve, Haradinaj u tha gazetarëve që t’i japin pak kohë sepse ende nuk ka ndonjë përgjigje.

Por nuk ngurroi të përsërisë qëndrimin e tij se taksa hiqet vetëm me njohje të Kosovës.

“I bisedojmë në ditët që vinë, nuk kam përgatitë ndonjë përgjigje, nëse ma lejoni disa kohë, në ditët që vinë do u jap përgjigje… Kemi me i rujt marrëdhëniet me Amerikën, kemi me bo çmos me i rujt, me Serbinë dhe Rusinë nuk kemi me ndërru qëndrim pa na njoftë nuk e heqim taksën”, tha ai.

Ndërsa i pyeti për kërkesat e Partisë Socialdemokrate për votimin e buxhetit, kryeministri tha se ato janë legjitime dhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo do të ndodh.

“Kemi biseduar me PSD-në, i kanë kërkesat legjitime dhe do t’i respektojmë këto kërkesa. Ai është në dorëheqje por shkarkimi mund të ndodh, në margjinat e seancës apo në kohë të seancës, para seancës. Por, po është kërkesë legjitime dhe e kam respektuar”, tha ai.

Ambasada amerikane në Kosovë dje gjatë ditës përmes një komunikate për media kanë bërë përsëri thirrje që taksa 100%të tërhiqet, pasi sipas tyre ky veprim është i kundërt me interesat e SHBA-ve./KP/Telegrafi/