LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Bujqësia, burim i zhvillimit ekonomik në Kosovë

Haradinaj: Bujqësia, burim i zhvillimit ekonomik në Kosovë

Në kuadër të shpalosjes së platformës së AAK-së, Drejtim i Ri, gjatë vizitës në serrën moderne të perimeve në fshatin Nëpërbisht të Suharekës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit në sektorin bujqësor.

Sipas njoftimit të AAK-së, Haradinaj ka thënë se është përkushtimi i vazhdueshëm i AAK-së që t’i mbështesim këto veprimtari dhe bujqësinë në përgjithësi.

“Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit në sektorin bujqësor. Kushtet e favorshme klimatike, tokësore, karakteristikat e mira natyrore dhe burimet ujore mundësojnë zhvillim të bujqësisë, agrobiznesit dhe industrisë së përpunimit të ushqimit. Puna dhe angazhimi ynë në platformën Drejtim i Ri, do të ndikojë në rritjen e produktivitetit e të cilësisë së produkteve bujqësore dhe do t’i bëjnë fermerët tanë konkurrentë në tregun rajonal dhe më gjerë. Ky është përkushtimi ynë i vazhdueshëm, ka thënë kryetari Haradinaj.

Kryetari Haradinaj u prit nga familja Kryeziu e Therandës, që posedon këtë serrë, me të cilët bashkëbisedoi dhe u informua nga afër për mbarëvajtjen e punëve në serrë dhe mundësitë e mbështetjes dhe zhvillimit të mëtejmë të kësaj veprimtari. /Telegrafi/