Komuna e Podujevës ka njoftuar, se Bulevardi i Qytetit në Podujevë është bërë sot vendtakim i traditës dhe kulturës, me hapjen e Panairit me produkte artizanale, aktivitet ky që shënon nisjen zyrtare të Manifestimit “Ditët e Diasporës”.

Sipas njoftimit, për dy ditë radhazi, më 20 dhe 21 korrik, qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë panairin dhe të shohin produkte të ndryshme artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale, të punuara kryesisht nga gratë llapjane.


Në hapjen e panairit morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, drejtoresha e Administratës, Ditjona Statovci, si dhe drejtori për Bujqësi, Behram Latifi.

Nënkryetari Restelica ka përgëzuar gratë për punën dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen e traditave kombëtare përmes produkteve artizanale dhe ushqimeve tradicionale.

Panairi është organizuar në bashkëpunim me Shoqatën “Duart e Arta Llapjane”, ndërsa është pjesë e një programi më të gjerë aktivitetesh kulturore dhe sportive që do të zhvillohen gjatë rreth tri javëve në kuadër të Manifestimit “Ditët e Diasporës”.

Aktivitetet e organizuara synojnë të krijojnë një atmosferë bashkimi mes qytetarëve të Podujevës dhe bashkatdhetarëve që po qëndrojnë gjatë kësaj periudhe në vendlindje. /Telegrafi/