Rrëzë kodrës së Kalasë së Prizrenit, pranë brigjeve të Lumbardhit dhe në atmosferën unike të qytetit historik, është hapur zyrtarisht edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest.

Me pjesëmarrjen e qindra dashamirëve të kinemasë, festivali i sivjetmë sjell një program të pasur kulturor, artistik dhe edukativ. Mbi 100 filma nga rreth 50 vende të botës, të ndarë në shtatë kategori garuese, do të shfaqen në tetë kinematë e Prizrenit gjatë nëntë ditëve të festivalit.


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale, e cilësoi DokuFest-in si një “motor të rëndësishëm të zhvillimit kulturor, ekonomik dhe lokal në vend”, duke vënë në pah qëndrueshmërinë e festivalit dhe ndikimin e tij në edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj të filmbërësve.

Ai shtoi se nga viti 2022, festivali ka marrë mbështetje institucionale të qëndrueshme, ndërsa katër vitet e fundit kanë shënuar mbështetjen më të lartë ndonjëherë nga shteti për këtë ngjarje kulturore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare.

“Mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në organizimin e këtij edicioni, dhe ju ftoj të gjithëve ta vizitoni,” përfundoi Kurti.

DokuFest-i, tashmë i njohur si një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në rajon, vazhdon të jetë një pikëtakim i rëndësishëm për artdashësit dhe profesionistët e filmit nga mbarë bota.