LAJMI I FUNDIT:

Haliti: Nuk jam ftuar të dëshmoj ndaj Kurtit

Haliti: Nuk jam ftuar të dëshmoj ndaj Kurtit

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se e ka marrë vesh prej medieve se qenka dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit.
Haliti, i cili është gjobitur me 200 euro për mosparaqitje në gjyq, ka kërkuar nga gjyqtari Beqir Kalludra t’i kërkojë falje për komprementimin e tij publik.

“Sot, mora lajmin nëpërmjet mediave se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit. Gjithashtu edhe për dënimin e shqiptuar ndaj meje prej 200 eurosh për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë”, thuhet në reagimin e Halitit në profilin tij në Facebook.


“Hajde gjykatës Kalludra hajde!” “Po si të vij dëshmitar pa u njoftuar asnjëherë që jam dëshmitar, pa më dërguar ftesë asnjëherë, apo u dashka që për kapriçot tuaja të shqiptoni dënime komprometuese duke keqpërdorur ligjin?” “Për hir të opinionit dhe jo për ndonjë shqetësim tjetër dua të njoftoj se: nga gjykata s’kam marrë asnjë herë njoftim as thirrje për të qenë dëshmitar. Prandaj duke marrë këtë për bazë, publikisht kërkoj nga gjyqtari Kalludra që të respektoj rregullat për ftesën e dëshmitarëve dhe në përputhje me këtë të zbatojë ligjin”, thekson nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e PDK-së.

Haliti ka kërkuar që për “komprometimin e tij publik”, gjyqtari Kalludra t’i kërkojë falje publikisht. /Telegrafi/