Hajrulla Çeku për Petrovcin: Do të mbetet i pazëvendësueshëm në teatrin dhe filmin shqiptar

Vdekja e aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar Enver Petrovci ka tronditur thellë botën e artit dhe kulturës shqiptare.
Figura e tij është konsideruar një nga më të rëndësishmet në teatrin dhe kinematografinë e vendit, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një ndikim të pakontestueshëm tek brezat e rinj të aktorëve.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka shprehur dhimbjen dhe respektin e tij për Petrovcin, duke e cilësuar atë si një personalitet të pazëvendësueshëm dhe frymëzues për komunitetin artistik shqiptar.
Përmes fjalëve të tij, ministri nënvizon rolin e Petrovcit jo vetëm si aktor i talentuar, por edhe si pedagog, themelues dhe mentor i brezave të tërë artistësh.
Postimi i plotë i Hajrulla Çekut:
“Lamtumirë Enver Petrovci.
Është shumë e vështirë të shkruash për ikjen e një personaliteti që i dha aq shumë kulturës dhe artit shqiptar. Enver Petrovci ishte një nga aktorët më të shquar të skenës sonë, një artist që me talentin dhe karizmën e tij do të mbetet i pazëvendësueshëm në teatrin dhe filmin shqiptar.
Gjatë dekadave të veprimtarisë së tij, ai interpretoi një gamë rolesh, duke i dhënë jetë figurave që tashmë janë pjesë e kujtesës kolektive. Petrovci ishte edhe themelues, regjisor dhe mësues, duke lënë gjurmë të thella në formimin e shumë brezave artistësh.
Ai u nda nga jeta, por pas vetes la një trashëgimi të çmuar kulturore, që do të mbetet frymëzim i përhershëm për të gjithë ne. Ngushëllime familjes, komunitetit artistik dhe të gjithëve që patën fatin ta njohin”. /Telegrafi/


























































