Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe ka uruar kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovcin, për fitoren në këtë garë.

Në një postim në “Facebook”, Hajdari falënderoi qytetarët për përkrahjen dhe e quajti garën “të jashtëzakonshme e demokratike”.


“Drenasin e dua edhe kur nuk fitoj. Të dashur qytetarë të Drenasit, ju falemnderit nga zemra të gjithëve për garën e jashtëzakonshme e demokratike që zhvilluam bashkërisht dje. Kam bërë të gjitha përpjekjet njerëzore për t’i sjellë Drenasit një qeverisje të mirë në të cilën kam besuar fort. Ju falenderoj shumë për besimin tuaj. Por gara e demokracia është kjo, dhe unë e respektoj verdiktin tuaj. Kundërkandidatin tim, Ramiz Lladrovcin, e uroj për fitoren dhe shpresoj që Drenasi të përjetojë zhvillim e suksese", ka shkruar ai më 13 tetor 2025.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ramiz Lladrovci nga iniciativa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” e ka fituar garën për kryetar komune me 52.31% të votave, duke siguruar mandatin pa balotazh.

Pas tij u renditën:

Petrit Hajdari (PDK) – 37.31%

Egzona Tërdevci (LVV) – 4.01%

Naim Bazaj (Për Drenas e Kosovë) – 2.49%

Ajvaz Berisha (Bashkimi Demokratik) – 2.43%

Gazmend Heta (LDK) – 0.70%

Beqir Kiqina (AAK) – 0.70%

Në rezultatet paraprake nuk janë përfshirë ende votat me kusht, ato nga jashtë vendit dhe votat e personave me nevoja të veçanta.