Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në konferencën me temë “Epoka e Inteligjencës Artificiale: Teknologjia si mjet, vlerat si mision”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).

Në fjalën e tij, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e vlerësoi konferencën si një iniciativë të rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale (IA) në sektorin financiar. Ai theksoi se, krahas përfitimeve që ofron kjo teknologji, nevojitet kujdes i shtuar në aspektet e etikës, mbrojtjes së të dhënave dhe integritetit profesional.


Përdorimi i IA-së, pa kontrolle dhe mbikëqyrje adekuate, mund të krijojë rreziqe për stabilitetin e sistemit financiar. Këto rreziqe lidhen me integrimin e IA-së në funksionet bazë të institucioneve, zhvillimet teknologjike në modelet gjenerative, si dhe varësinë nga një numër i kufizuar ofruesish të infrastrukturës.

Për të adresuar këto sfida, ai bëri të ditur se BQK ka avancuar kornizën rregullative përmes Rregullores për Sistemet e Informacionit dhe Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik, si dhe ka forcuar kapacitetet mbikëqyrëse për të siguruar përdorim të qëndrueshëm dhe të sigurt të teknologjive të avancuara.

Gjithashtu, BQK ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2025–2028, e cila është në përputhje me Planin Strategjik të institucionit dhe synon forcimin e kapaciteteve operacionale dhe adresimin e rreziqeve kibernetike.

Në aspektin global, Guvernatori Ismaili përmendi gjetjet e Bankës Qendrore Evropiane, Komitetit të Bazelit dhe Bordit të Stabilitetit Financiar, sipas të cilave inteligjenca artificiale po transformon thellësisht sistemin financiar duke përmirësuar analizat, vendimmarrjen dhe efikasitetin e shërbimeve, por njëkohësisht kërkon forcim të kuadrit rregullator dhe etik.

Gjykimi njerëzor, sipas tij, nuk mund të zëvendësohet, por duhet të ndërthuret me potencialin transformues të teknologjisë për të ndërtuar një sistem financiar më të qëndrueshëm, inovativ dhe të besueshëm.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrës Kombëtare të Auditimit, Njësisë për Inteligjencë Financiare, institucioneve publike, universiteteve, institucioneve financiare dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvoja dhe diskutuan mbi praktikat më të mira për përdorimin e IA-së.

BQK ritheksoi përkushtimin e saj për modernizimin e kornizës ligjore dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike, duke avancuar inovacionin dhe sigurinë në sektorin financiar në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.